Lajme

SBAShK-u: Kurti deshi përplasje me sindikatat, ne ia plotësuam dëshirën

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, përmes një deklarate publike, ka thënë se Qeveria ka refuzuar të dialogojë me ta për kërkesat që kjo sindikatë ia ka drejtuar ekzekutivit të vendit.

Në deklaratën e tyre thuhet se kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria ka dashur përplasje me sindikatat, dhe këto të fundit “këtë dëshirë ua plotësuam”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Shpresuam në dialog me Qeverinë do të shkojmë drejt zgjidhjes së drejtë të kërkesave legjitime të anëtarësisë, por Kryeministri Kurti dhe Qeveria u dëshmuan se nuk e duan dialogun, por më tepër dëshirojnë të përplasën me sindikatat dhe këtë dëshirë ua plotësuam”, thuhet në deklaratën e SBAShK-ut.

Në përmbyllje të vitit 2021, nga kjo sindikatë kanë thënë se kanë zhvilluar “shumë aktivitete në shërbim të anëtarësisë”.

“Stafi qendror organizoi në shërbim të ngritjes së cilësisë 147 grupe trajnimesh duke përfshirë më shumë se 5000 punëtorë arsimor”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media.

“U angazhua që të vaksinohen punëtorët arsimor me qëllim që viti shkollor të vazhdojë në institucione arsimore. Shënuam në mënyrë dinjitoze Ditën e madhe të shkollës shqipe e të mësuesit”.

Deklarata e kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, dhënë ditë më parë, se duhet të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, ka ngjallur reagime të shumta.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një prononcim për Shqip.com deklaratën e Kurtit e pati quajtur “komuniste”. Madje, ai i pati ofruar Kurtit dorëheqjen vetëm në rast se plotësohen premtimet, të cilat sipas tij, janë dhënë nga kryeministri.

Ndërsa, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, pati thënë se “emërimi i kryetarëve të sindikatave, nuk i takon Kurtit”./SHQIP.com