Lajme

SBASHK-u ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman jasharaj ka thënë se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transferëve, Hekuran Muratit.

Sipas Jasharajt, kjo ka ardhur pas kërcënimeve të Muratit për të ju ndalur pagat grevistëve.

“SBASHK-u e ka përgatitë dhe e ka dorëzu në organin gjegjës në prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit dhe kur të thirrin ai le ti nxjerrë letrat dhe të tregon nëse ka të drejtë që dikujt të ja ndal paratë e tij. Buxheti i Kosovës është edhe me  djersen tonë”, tha Jasharaj.

Sipas Jasharajt, greva do të përfundoj atëherë kur anëtarësia e kërkon si dhe Qeveria i plotëson kërkesat e grevistëve.

“Ky moment nuk është se na gëzon neve sepse me 1 shtator sa mirë do të tingëllonte zilja.  Greva do të shtyhen kur Qeveria e nënshkruan dhe del para mediave se kjo kërkesë do të realizohet dhe kërkesa tjetër mbas një jave sepse do të ulemi që të bisedojmë, ne do t’i themi anëtarësisë se çfarë janë duke menduar dhe do të vendosim”.

Jasharaj tha se nuk kanë pasur zgjedhje tjetër sepse janë refuzuar nga Qeveria për të dialoguar.

“Madje e kemi dërguar edhe ndërmjetësuesin që me na ulë që të bisedojmë dhe kishte ardhë përfundimi që ne udhëheqësit të dorëzohemi të marrim mindilin e bardhë ose të shkojmë me atë që thotë Ligji për Greva për grevë të përgjithshme sepse i kemi harxhuar të gjitha”.

Sipas të parit të grevistëve, greva do të kryhet një ditë por nga kjo situatë dikush do të dal i turpëruar.

“Greva kanë me u kry dikur por dikush ka me u turpëru, dhe ai që do të turpërohet do të jetë Hekuran Murati që po bënë goditje të ulëta dhe po don me na frikësu. Po ashtu, edhe ministrja Nagavci sepse duhet të ishte zëri ynë”.

Sipas Jasharajt ai e i ka kërkuar Nagavcit që kërkesat e tyre të adresohen në Qeveri por kjo e fundit ka refuzuar.

Lexo edhe:
Këshilli i Prindërve: E papranueshme që 1 shtatori t’i gjejë fëmijët në shtëpi, veprim ekstrem sindikal

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi tha se është e papranueshme që 1 shtatori t’i gjejë fëmijët në shtëpi.

Për Shqip.com Demi tha se greva e përgjithshme është veprim ekstrem i sindikatës që i dëmton fëmijët dhe prindërit.

“Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës ku kemi thënë se 1 shtatori t’i gjejë fëmijët në shtëpi është e papranueshme në këtë ditë. E drejta e fëmijëve për edukim dhe arsimim është e drejtë kushtetuese dhe duhet të mbrohet nga Qeveria. Greva është e tërësishme, e plotë dhe e pa afatë dhe është veprim ekstrem sindikal që i dëmton vetëm fëmijët dhe prindërit”, tha Demi.

Demi tha se sot në shkollat e Prishtinës janë parë nxënës para shkollave dhe kjo situatë është duke shkaktuar konfuzion tek fëmijët.

“Sot po shohim nëpër shkollat e Prishtinës se ka nxënës para shkollave dhe mësimdhënësit nuk janë ende aty. Kjo gjendje po shkakton konfuzion tek fëmijët dhe shkollat do të duhej të komunikonin. Ka dëshirë të shprehur tashmë nga fëmijët për të qenë prezent nëpër shkolla çoftë edhe për tu takuar me shokët e klasës. Andaj është e paarsyeshme, e pajustifikueshme që jemi në këtë situatë  në kushte normale dhe jo në të jashtëzakonshme shkollat janë mbyllur”.

Tutje, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës tha se do të presin deri të dielën për të marrë një qëndrim tjetër sepse ata nuk mund të presin që greva të jetë e pa afatë.

Greva është e përgjithshme e shpallur në nivel vendi por ka shkolla me shpresën që do të punojnë dhe ne do të presim deri të dielën për të marrë ata një qëndrim tjetër dhe nuk mund të presim që greva të jetë e pa afatë.

Për shkak të mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, nga 1 shtatori ka vendosur që të hyjë në grevë të përgjithshme.

Kjo për shkak se sindikalistët nuk arritën të dakordohen me zyrtarë të institucioneve për kërkesat e tyre.

Përmes saj, mësimdhënësit synojnë të i realizojnë kërkesat e tyre për 100 euroshin dhe miratimin e Ligjit për Pagat. Arsimi është shumë I rëndësishëm për të mos qenë prioritet i Qeverisë, dhe të dy palët duhet të lëvizin nga pozitat aktuale për t’i dhënë mundësi dialogut

Kundër kësaj proteste janë shprehur hapur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Në konferencën e 31 gushtit, ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

“Janë procesuar vetëm pagat për organizatat buxhetore (siç janë komunat) që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave”, ka thënë Murati në një konferencë për media.

Lexo edhe:

Ministri i Financave: Mësimi fillon më 1 shtator – ata që janë në grevë pezullohen nga paga

Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Ministri Murati ka thënë se prindërit dhe disa punonjës të arsimit dëshirojnë që mësimi të fillojë më 1 shtator, andaj edhe beson që të gjithë mësimdhënësit do të jenë në vendin e punës.

“Ata janë të vetëdijshëm që çfarëdo greve që mbahet, fillimisht i dëmton nxënësit, të cilët edhe ashtu e kemi parë në testet ndërkombëtare se nuk qëndrojnë mirë, por dëmton financiarisht edhe vetë grevistët që nuk paguhen për ditët që janë në grevë”.

Në anën tjetër, MASHTI përmes një njoftimi në media ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2022/2023.

Në Ligjin për greva në Kosovë thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.

Aty po ashtu përmendet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, por se ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është vendim i kundërligjshëm./Shqip.com