Lajme

Samir Mane ujdi me SPAK/ Biznesmeni mbërriti në Prokurori pas orarit zyrtar për të shmangur mediat

Biznesmeni Samir Mane është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje në kuadër të hetimeve për dosjen “Balluku”. Mane mbërriti në ambientet e SPAK rreth orës 18:10, pra jashtë orarit zyrtar të paraqitjeve, dhe qëndroi për rreth dy orë në Prokurorinë e Posaçme.

Paraqitja në këtë orar ngre pikëpyetje mbi mënyrën e koordinimit të marrjes në pyetje, ndërsa mbetet për t’u verifikuar nëse zgjedhja e orarit ka qenë pjesë e një dakordësie mes SPAK dhe biznesmenit për të shmangur praninë dhe kamerat e mediave.

Thirrja e Manes në SPAK vjen pas marrjes në pyetje të vëllezërve Eftimi dhe tregon zgjerimin e rrethit të personave që Prokuroria e Posaçme po merr në pyetje për çështjen e vilës, për të cilën hetuesit dyshojnë se lidhet me Belinda Ballukun.

SPAK po heton rreth mënyrës se si është porositur, projektuar, financuar dhe finalizuar objekti, në kuadër të dyshimeve për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për dyshime të Prokurorisë së Posaçme dhe jo për përfundime gjyqësore të formës së prerë.

/Shqip.com