Lajme

“Furnizon falas autobotet e policisë”/ Në Instagram bëhet thirrje për sulme ndaj karburanteve të Kastratit (FOTO)

Një prej tipareve që kanë shoqëruar protestat e zhvilluara prej disa ditësh në Tiranë, krahas thirrjeve për largimin e qeverisë, ka qenë edhe dhuna ndaj bizneseve private dhe shkatërrimi i pronës publike. Dhjetëra kioska dhe biznese të tjera në kryeqytet janë sulmuar apo djegur nga protestuesit, ndërsa akte vandalizmi janë regjistruar edhe ndaj pronës publike, ku janë shkatërruar semaforë, barriera mbrojtëse për këmbësorët dhe janë djegur kazanë plehrash. Po ashtu janë dëmtuar automjete private dhe disa prej tyre u është vënë edhe zjarri.

Pas disa ditësh qetësie, duket se në rrjetet sociale kanë nisur sërish thirrjet që mund të paralajmërojnë një tjetër valë sulmesh dhe shkatërrimesh ndaj bizneseve private.

Kësaj radhe, në shënjestër janë vendosur karburantet e kompanisë Kastrati. Një profil në Instagram me emrin “Antidroga” ka publikuar fotografi të një autoboti të Policisë së Shtetit, duke u furnizuar në një prej karburanteve të kësaj kompanie në zonën e Saukut. “Kastrati furnizon me ujë falas autobotet që sulmojnë protestuesit”, shkruhet në një postim nga ky profil. Në fakt, Kastrati nuk shet ujë, por naftë dhe mjetet e policisë furnizohen aty, si çdo automjet tjetër i administratë shtetërore, pasi biznesmeni pranë Edi Ramës zotëron tenderin për këtë punë. Por “Antidrogës” i intereson të thotë se Kastrati shet ujë, për të manipuluar protestuesit ndaj të cilëve policia përdor autobotin që hedh ujin me presion.

Karburant Kastrati
Karburant Kastrati

Krahas fotografive, administruesit e këtij profili u bëjnë thirrje protestuesve që të bëjnë një “xhiro” në karburantet e Kastratit. Një formulim që, në kontekstin e protestave dhe akteve të mëparshme të dhunës, interpretohet si nxitje për të sulmuar pikat e furnizimit me karburant të kompanisë.

Karburant Kastrati

Instagrami është kthyer gjithashtu në një nga platformat kryesore ku përhapen vazhdimisht lajme të rreme (fake news), informacione të pakonfirmuara dhe mesazhe që nxisin urrejtjen ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Pavarësisht përhapjes së këtyre përmbajtjeve, bie në sy mungesa e masave të dukshme nga ana e kompanisë META, e cila administron platformën, për të frenuar përhapjen e dezinformimit dhe thirrjeve që mund të nxisin dhunë.

Karburant Kastrati

Një sulm i tillë ndaj karburanteve, nëse do të konkretizohej do të ishte një rrezik i madh për Tiranën dhe qytetarët, duke ditur rrezikshmërinë që kanë pikat ku tregtohet nafta, gazi e benzina.

©Shqip.com