Lajme

Kush është i riu amerikan i arrestuar gjatë protestës në Tiranë dhe çfarë rrezikon?

Protesta në Tiranë

Një shtetas amerikan është arrestuar nga Policia e Tiranës pas protestës së zhvilluar më 31 tetor, nën dyshimet për përfshirje të drejtpërdrejtë në aktet e dhunës kundër forcave të rendit. I ndaluari është identifikuar si Kevin Radosevich, me origjinë nga Kalifornia.

Radosevich dyshohet se është fotografuar gjatë grumbullimit duke shpërndarë koktej molotov mes protestuesve, ndonëse ky veprim specifik mbetet ende i pakonfirmuar zyrtarisht nga autoritetet policore.

Amerikani është mes 6 personave të arrestuar gjatë përplasjeve të fundit, ndaj të cilëve rëndon akuza e rëndë penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë. Grupi i të ndaluarve akuzohet për sulme të organizuara ndaj efektivëve të policisë duke përdorur lëndë plasëse molotov, gurë, mjete piroteknike, si dhe sfera e vida metalike të lëshuara me llastiqe. Dy prej të arrestuarve janë kapur në flagrancë me bomba molotov me vete.

Arrestimi i Kevin Radosevich shënon rastin e dytë të prangosjes së shtetasve të huaj gjatë protestave opozitare kundër qeverisë. Më 17 tetor, policia ndaloi gjithashtu shtetasin amerikan Julien Williams dhe atë italian Marko Benvenuto, të cilët ndodhen nën hetim për përplasjet me efektivët e policisë, akuzë të cilën ata e kanë mohuar gjatë marrjes në pyetje.

©️Shqip.com