Lajme

Lufta Rama–Veliaj bëhet frontale, si arritën dy ish miqtë te kërcënimi mafioz në qelitë e Fierit. A do jetë humbja e Tiranë kostoja e parë e grindjes brenda llojit? Ministri Toni Gogu pranon takimin në burg, por mohon mesazhin

PREZANTOHET PARKU OLIMPIK - Kryeministri Edi Rama dhe Kandidati i PS per Bashkine e Tiranes, Erion Veliaj, gjate prezantimit te projektit per ndertimin e Parkut Olimpik dhe Kopshtit Zoologjik./r/n/r/nPRESENTATION OF OLIMPYC PARK - Prime Minister Edi Rama and Candidate of Socialist Party for the mayor of Tirana Erion Veliaj, during presentation of the project for the construction of Olympic Park and Zoo.

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca konfirmoi për mediat një ultimatum me nota mafioze për Veliajn në qelitë e paraburgimit në Fier drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Ndreca pohoi se kryebashkiaku i Tiranës është kërcënuar të dorëzojë menjëherë mandatin, të delegojë kompetencat te njerëzit që do të caktojë Rama dhe të heqë dorë nga avokati. Në të kundërt, ai është kërcënuar me transferim në një tjetër burg dhe me hetime të reja nga SPAK. 

Denoncimi u raportua fillimisht nga Hashtag.al, sipas të cilit, mbrëmjen e së premtes, më 30 tetor, ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka mbërritur me urgjencë në burgun e Fierit, ku ndodhet i paraburgosur Erion Veliaj. Ai ka hyrë në burg pa u regjistruar për të përcjellë një mesazh në emër të Edi Ramës:

“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur:

–Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem veç si kryeministër.

-Dorëzo mandatin urgjentisht.

-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.

-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.

-Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nis hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg“, thuhet në mesazhin e pretenduar dhe mafioz që Toni Gogu i ka përcjellë Veliajt. 

Veliaj është përgjigjur menjëherë dhe i ka thënë ministrit të Drejtësisë se “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”.

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu pranoi takimin me Veliajn në burgun e Fierit, por ka mohuar kategorikisht pretendimet e publikuara lidhur me përmbajtjen e bisedës mes tyre. Në një reagim publik, Gogu thotë se vizita është zhvilluar në kuadër të detyrës së tij si ministër, për t’u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe për të dëgjuar shqetësimet e ngritura publikisht nga avokati i tij, por shprehet i habitur nga ato që i janë atribuar pas takimit.

Gjithsesi, fakti që Veliaj, përmes avokatit të tij, ka pretenduar mesazhin mafioz të Ramës, pavarësisht nëse Toni Gogu e ka përcjellë ose jo një mesazh të tillë, lufta e ftohtë dhe e maskuar deri më sot Rama-Veliaj, tashmë ka shpërthyer dhe është kthyer në frontale. Më e humbura nga kjo luftë do të jetë padyshim Partia Socialiste, e cila mund të rrezikojë të humbasë Bashkinë e Tiranës vitin që vjen, ndërsa më i fituari ka gjasa të jetë Sali Berisha, i cili ka përfituar gjithmonë nga luftërat e brendshme në PS, sidomos në vitin 2005 dhe 2009. 

Nëse mesazhi mafioz vështirë të konfirmohet, nuk ka dyshim se tranferimi i Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit nuk mund të bëhej pa urdhërin e Ramës. Ndërkaq, nëse kërcënimi me SPAK i Veliajt është i vërtetë, kjo do të konfirmonte dyshimin se pas goditjes penale të Veliajt ka gisht Edi Rama, i cili mund ta ketë parë si rival politik dhe ka vendosur ta asgjesojë politikisht, duke e burgosur dhe shkatërruar emocionalisht. 

Përpjekjet e para të Ramës për të marrë nën kontroll Bashkinë e Tiranës nisën disa javë pas arrestimit të Veliajt dhe nisjes së një fushate denigruese ndaj tij. Në muajin mars të vitit të kaluar Veliaj firmosi nga qelia e Durrësit emërimin e Sara Goxhajt, si nënkryetare duke zëvëndësuar Anuela Ristanin, por u tërhoq pa kaluar as 24 orë. Veliaj u përpoq ta ruante raportin me Ramën në sytë e publikut, ndërsa edhe Rama jepte mesazhe herë pas here sikur Veliaj po mbahej në burg padrejtësisht. 

Në shtator të vitit 2025, Rama urdhëroi këshillin Bashkiak ta shkarkonte Veliajn nga detyra, ndërsa paralelisht kishte shpallur kandidate Ogerta Manastirliun për zgjedhjet e pjesshme. Planet e Ramës u ndalën nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese që e riktheu Veliajn në detyrë, ndërsa kryetari i bashkisë u paraqit në gjyq me pranga në duar. Bashkia e Tiranës mbeti nën ende nën kompetencat e kryebashkiakut të arrrestuar, që i firmoste urdhrat nga qelia e paraburgimit në Durrës.

Marrëdhënia e thyer mes të dyve mori një dimension tjetër më 26 tetor, kur Veliaj përshëndeti fitoren e Listës Studentore ndaj Aleksandër Vuçiçit në Serbi. Në një kohë kur Shqipëria ishte përfshirë nga protestat kundër qeverisë Rama, ai shkroi: “Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’”. Më tej, u bëri thirrje politikëbërësve të kuptonin nevojat dhe pritshmëritë e brezit të ri. 

Vetëm dy ditë më vonë, më 28 tetor, Veliaj u transferua papritur nga paraburgimi i Durrësit në Fier. Drejtoria e Burgjeve e justifikoi lëvizjen me masa sigurie, por e klasifikoi urdhrin e transferimit si “sekret shtetëror”, duke refuzuar publikimin e tij. Veliaj e kundërshtoi vendimin si “një rrëmbim policor” dhe kërkoi dokumentacionin që do t’i mundësonte ankimimin.

Më 30 tetor, Veliaj vendosi të hakmerret, ai shkarkoi dy nënkryetarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës, Vasilika Vjeron dhe Ilir Mëngrën, duke emëruar Etleva Bishën. Po atë mbrëmje, sipas denoncimit të konfirmuar nga avokati Plarent Ndreca, ministri Toni Gogu shkoi në burgun e Fierit për t’i përcjellë ultimatumin e pretenduar të Ramës për dorëzimin e mandatit dhe delegimin e kompetencave.

Kronologjia tregon se Veliaj ka vendosur të mos largohet nga pushteti pa kosto për ish-mikun e tij Edi Ramën duke e nxjerrë hapur si një pushtetar që vepron me metoda mafioze nën petkun e politikanit modern. Marrëdhënia mes të dyve tashmë është një luftë e hapur brenda llojit, ose siç thotë edhe një shprehje e njohur; armiqtë më të egër janë shpesh miqtë e dikurshëm.

/Shqip.com