Lajme

Sahatçiu: Kontrata në vlerë të 750 mijë eurove me “NPL Parking Prishtina” të anulohet

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka  thënë se kontrata në vlerë të 750 mijë eurove e NPL Prishtina Parking duhet të anulohet.

Përmes një postimi në Facebook, Sahatçiu ka thënë se nëse NPl thirret në faktin se është fituesi i njëjtë që ka ndërtuar aplikacionet e kaluara ka bazë të dyshohet se është lëshim i qëllimshëm.

“Kontrata 750,000 euro e NPL Prishtina Parking duhet të anulohet. Ndonëse NPL thirret në faktin se operatori ekonomik fitues është operatori i njejtë që ka ndërtuar aplikacionet e kaluara, ka bazë të dyshohet se është lëshim i qëllimshëm duke mos e kërkuar pronësinë e kodit/pronës intelektuale në dorëzim të aplikacionit kur është ndërtuar”, shkroi Sahatçiu.

Sahatçiu tha se nuk ka bazë për vlerën e kontratës.

“A ka bazë në kërkesa për vlerën e kontratës? Jo. Volumi i kërkuar i punës mund të shndërrohet në jo më shumë se 3,000 orë pune. Çmimi i orës nuk mund të jetë 250 euro, edhe nëse heqim kostot e infrastrukturës. Hajde kontrata nuk shndërrohet në orë pune fare si njësi matëse. Nënshkrimi i kontratës si hisedarë me 15% të vlerës së qarkullimit dhe në mungesë të dorëzimit të pronësisë tek ndërmarrja përveç tjerash është edhe indikacion i kontraktimit të shërbimeve të ardhshme me të njejtin operator, me të njëjtën procedure”.

Tutje, ajo tha se ka baza për dyshime kredenciale të operatorit ekonimik fitues.

“A ka bazë dyshimi në kredencialet e operatorit ekonomik fitues? Po. Derisa online prezantohet si ofrues i shërbimeve të komunikimit në rrjete sociale, nuk ka asnjë kredencial online që e dëshmon përvojën e referencuar profesionale në kryerjen e shërbimeve të kërkuara”

Megjithatë, ajo tha se kjo kontratë nuk i bënë mirë shërbimit të parkingut pasiqë edhe shumë qytetarë janë ankuar.

Për fund, Sahatçiu tha se kjo kontratë duhet të anulohet, duhet të ipet përgjegjësi dhe të ndalohet keqpërdorimi në vazhdim.

Në lidhje me këtë kontratë kanë reaguar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lexo edhe:

Vetëvendosje: Kontrata e re e “Prishtina Parking” është e paligjshme

Sipas anëtarëve të LVV të degës në Prishtinë, vlera e kontratës lidhur për krijimin e aplikacionit që është objekt i kontratës është disa herë më e vogël, se sa shuma e përcaktuar.

“Çështje në vete është vlera e kontratës. 750.000.00 euro është shuma e përcaktuar apo e negociuar në mes të “Prishtina Parking” dhe OE. Sipas njohësve të fushës, vlera reale e aplikacionit, që është objekt i kontratës, është shumëfish herë më e vogël.”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas tyre më e rëndësishme për qytetarët është miratimi i Rregullores se re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit të kësaj kompanie, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje.

Lexo edhe:
Kontrata 750 mijë euro e Komunës me Prishtina Parking, Sahatçiu kërkon informacione 

Ndërsa, Sahatçiu para tri ditësh ka kërkuar informacione për të parë materialet e këtij procesi e pastaj për të dalë me ‘qëndrime e vendime meritore’.

Lexo edhe:
“Prishtina parking” jep sqarim për kontratën me vlerë 750 mijë euro

Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ka dhënë sqarim lidhur me kontratën “Shërbime për Menaxhimin e Parkingjeve”, vlera e së cilës është 750 mijë euro.

Ndërmarrja publike për menaxhimin e vend parkingjeve në kryeqytet, ka bërë të ditur se kjo shumë nuk do t’i paguhet e tëra operatorit ekonomik.

Po ashtu në komunikatën e tyre Prishtina Parking ka njoftuar se kjo kontratë nuk e ka përfshirë vetëm krijimin e një aplikacioni siç është raportuar dje.

“Është me rëndësi të theksohet se kompania e kontraktuar ka krijuar softuerin dhe tre aplikacione: aplikacioni ku palët paguajnë me sms, aplikacioni për banorët rezident si dhe aplikacioni për smart phone, ku për to është investuar një shumë e konsiderueshme e mjeteve nga kompania e kontraktuar. “, kanë deklaruar ata.

 Sqarimi i “Prishtina parking” ka ardhur pas reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje- degës në Prishtinë, të cilët e quajtën të jashtëligjshme kontratën e kësaj ndërmarrje./SHQIP.com