Lajme

“Prishtina parking” jep sqarim për kontratën me vlerë 750 mijë euro

Prishtina Parking

Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ka dhënë sqarim lidhur me kontratën “Shërbime për Menaxhimin e Parkingjeve”, vlera e së cilës është 750 mijë euro.

Ndërmarrja publike për menaxhimin e vend parkingjeve në kryeqytet, ka bërë të ditur se kjo shumë nuk do t’i paguhet e tëra operatorit ekonomik.

“SH.A. sqaron opinionin publik rreth disa shkrimeve dhe reagimeve të aktivistëve politikë lidhur me vazhdimin e kontratës “Shërbime për Menaxhimin e Parkingjeve”, ku vlera indikative për 36 muajt e ardhshëm është 750,000.00€ (shtatëqind e pesëdhjetë mijë euro). Ndërmarrja sqaron se kjo nuk është shuma që do t’i paguhet Operatorit Ekonomik, por në bazë të kontratës së nënshkruar, Ndërmarrja do t’i paguajë kompanisë 15 % të të hyrave për çdo shërbim që kryen kompania e kontraktuar nga Ndërmarrja.”, thuhet në njoftimin e tyre.

Po ashtu në komunikatën e tyre Prishtina Parking ka njoftuar se kjo kontratë nuk e ka përfshirë vetëm krijimin e një aplikacioni siç është raportuar dje.

“Është me rëndësi të theksohet se kompania e kontraktuar ka krijuar softuerin dhe tre aplikacione: aplikacioni ku palët paguajnë me sms, aplikacioni për banorët rezident si dhe aplikacioni për smart phone, ku për to është investuar një shumë e konsiderueshme e mjeteve nga kompania e kontraktuar. “, kanë deklaruar ata.

 Sqarimi i “Prishtina parking” ka ardhur pas reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje- degës në Prishtinë, të cilët e quajtën të jashtëligjshme kontratën e kësaj ndërmarrje./SHQIP.com