Lajme

Kontrata 750 mijë euro e Komunës me Prishtina Parking, Sahatçiu kërkon informacione 

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu,

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pas denoncimeve lidhur me kontratën me vlerë 750 mijë euro të nënshkruar nga komuna e Prishtinës me kompaninë NPL Prishtina Parking.

Ajo ka kërkuar informacione për të parë materialet e këtij procesi e pastaj për të dalë me ‘qëndrime e vendime meritore’.

”Shumë pikëpyetje në kontratën 750,000 euro të NPL Prishtina Parking për “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës.” Lajmi tendencioz për asocimin e kontratës nën dyshime me qeverisjen e PDK në Prishtinë, të udhëhequr nga unë, është qesharak. Nëse është dikush në Kryeqytet që mund të thirret për ekspertizë në shërbime të tilla me softuer – jam unë. Dhe unë, jam edhe Nënkryetare e Kryeqytetit nga PDK. Nuk njihem për nguti.”

Ajo ka thënë se nuk do të këtë tolerancë në keq-qeverisje.

“Derisa pres të pajisem me të gjitha informatat dhe materialet e këtij procesi nga kërkesa e parashtuar tek Kryeshefi i ndërmarrjes për konstatim përfundimtar, do të mbaj distancë në prononcime shtesë lidhur me këtë çështje. Në ndërkohë ju siguroj që derisa jam në Kryeqytet, nuk do të ketë tolerancë në keq-qeverisje dhe nuk do të ketë heshtje për procese të dyshimta. Aq më pak në digjitalizim. As tash, as kurrë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në lidhje me këtë kontratë kanë reaguar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lexo edhe:
Vetëvendosje: Kontrata e re e “Prishtina Parking” është e paligjshme

Sipas anëtarëve të LVV të degës në Prishtinë, vlera e kontratës lidhur për krijimin e aplikacionit që është objekt i kontratës është disa herë më e vogël, se sa shuma e përcaktuar.

“Çështje në vete është vlera e kontratës. 750.000.00 euro është shuma e përcaktuar apo e negociuar në mes të “Prishtina Parking” dhe OE. Sipas njohësve të fushës, vlera reale e aplikacionit, që është objekt i kontratës, është shumëfish herë më e vogël.”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas tyre më e rëndësishme për qytetarët është miratimi i Rregullores se re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit të kësaj kompanie, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje./SHQIP.com