Lajme

Rusët e arrestuar për spiunazh, Rama: Duhet të na shqetësojë qëllimi i tyre

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot për incidentin e ndodhur në Gramsh, ku dy shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen në Uzinën e Armëve.

Ai tha se është për të qeshur gjithë rëndësia që iu dha kësaj çështjeje dhe mënyra si u trajtua, pasi ajo uzinë nuk është një objekt i rëndësisë së veçantë, është thjeshtë një karakatinë e komunizmit, e cila është në atë gjendje sa i priten edhe dritat.

“Të bësh spiunazh duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunizmit është qesharake. Ajo që duhet të na shqetësojë ne, këta persona çfarë qëllimesh kanë. Sepse më falni, por një mision spiunazhi që shfaqet me një veturë që duket sikur thërret aman më shihni më kapni se jam e veçantë.

Lexo edhe:
Sulmi në Gramsh, Rama: Institucionet kanë funksionuar siç duhet

I takon hetimit të nxjerrë më shumë, shqetësimi ynë është se çfarë qëllimesh kanë këta persona. Duhet të shohim nga hetimi dhe gjykimi se cili është qëllimi i vërtetë. Të flasësh për cenim të sigurisë kombëtare se u shfaqën disa persona të dyshimtë është e drejtë po se u shfaqën duke fotografuar ca mbeturina të komunizmit është qesharake. Por se çfarë fshihet pas kësaj, që u bë e madhe me ndihmën tuaj, do të zbulohet nga hetimet”, ka thënë Rama.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se dy rusët dhe ukrainasi, që kanë tentuar të futen në depon e armatimit në Gramsh ku plagosë dy ushtarë, janë arrestuar për spiunazh.

Lexo edhe:
Arrestimi i rusëve pas sulmit në Gramsh, akuzohen zyrtarisht për spiunazh

Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.

Ata do të gjykohen dhe për dëmin që u shkaktuan ushtarëve me anë të një spray neuro-paralizues./SHQIP.com