Ekonomi

Rriten remitancat nga diaspora

Fotografia ilustruese
Fotografia ilustruese

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitancat për muajin dhjetor ishin rreth 129.1 milion euro.

Prurjet më të mëdha edhe gjatë këtij muaji kanë qenë përmes IFJB 49.9%, kanalet tjera 36.7%, ndërsa përmes bankave komerciale 13.3%.

Remitancat deri në fund të dhjetorit 2023 arritën vlerën rreth 1,344.5 milionë euro, e cila paraqet rritje vjetore prej 10%.

Sipas kalendarit të publikimeve, BQK publikoi statistikat për institucionet tjera financiare për muajin dhjetor 2023, si dhe statistikat e remitancave për nëntor dhe ato preliminare për dhjetor, asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit dhjetor 2023 janë rritur për 14.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 513.5 milionë euro.

Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar dominohet nga kreditë, të cilat përbëjnë 70.4 % të gjithsej aseteve.

Kreditë bruto të ndërmjetëseve tjerë financiarë në dhjetor 2023 arritën vlerën në 361.6 milionë euro, e cila përfaqëson rritje për 7.1 milionë euro krahasuar me periudhën paraprake.

Sipas sektorëve, kreditë ndaj ekonomive familjare dominojnë me 61% totalin e kredive të sektorit mikrofinanciar.

Vlera kredive të reja të emetuara nga ndërmjetësit tjerë financiarë në muajin dhjetor ishte 41.4 milionë.

Asetet e kompanive të sigurimit në fund të muajit dhjetor 2023 arritën vlerën 304.1 milionë euro, e cila përfaqëson rritje për 3.5 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Struktura e aseteve në sektorin e sigurimeve përbëhet nga bilanci me bankat komerciale, që përbëjnë 45.8%, letrat me vlerë dhe asetet e tjera 29.4 % dhe risigurimet me pjesëmarrje 14.2 %.

Asetet e fondeve pensionale në fund të muajit dhjetor 2023 janë rritur për 62.9 milionë euro krahasuar me muajin paraprak duke shënuar vlerën rreth 2.71 miliardë euro.

Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit, që përbejnë 74.5% të gjithsej aseteve.

/Shqip.com