Sport Ndërkombëtar

Ribery tregon futbollistin më të mirë me të cilin ka luajtur

Franck Ribery i ka dhënë fund karrierës si futbollist dhe natyrisht që interesimi i mediave për të është i madh.

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, Franck Ribery ka rikthyer karrierën e tij në analizë, duke u fokusuar në periudhën e kaluar te Fiorentina: “Firence i ngjan Salernos, sepse edhe atje jetojnë për futbollin. Qytet i bukur, plot me turistë nga e gjithë bota. Atje ha shumë mirë”, ka thënë fillimisht Ribery.

“Me klubin përfundoi ashtu siç përfundoi, por Fiorentina ishte një përvojë e mirë. Është turp që luajta pothuajse një vit pa tifozë për shkak të Covid-19, por njerëzit më donin. Unë jam dikush që dal gjithmonë nga fusha me fanellën e djersitur”, ka shtuar francezi.

Pyetjes se cili është futbollisti më i fortë me të cilin ka luajtur, francezi që dje njoftoi tërheqjen nga futbolli i luajtur zgjodhi një bashkatdhetar të tij: “Zinedine Zidane. Me të pata fatin të luaja në Kupën e Botës 2006. Ishte hera ime e parë në kombëtare. Edhe nëse humbëm finalen kundër jush (kombëtares italiane), mbetet një përvojë e paharrueshme”.

Franck Ribery, i cili zyrtarisht i dha lamtumirën futbollit dje, tregon pse e mori këtë vendim: “Javën e fundit kam menduar pak më shumë për këtë moment, por e vërteta është se nuk jam vërtet i përgatitur. Tre muaj më parë ndihesha mirë”, tregon gjendjen e tij Ribery.

“Pata një tërheqje të fortë parasezonale, pastaj dhimbjet e para në gju në korrik. Në ndeshjen hapëse të kampionatit aktual kundër Romës luajta me dhimbje. Nuk jam një person i brishtë, por për 3 ditë nuk mund të lëvizja”.

“Mjekët thanë se situata ishte shumë e rëndë. Unë u përpoqa të shërohesha. Nuk mund ta besoja se u detyrova të ndaloja. Doja të zgjidhja kur të thosha mjaft, por futbolli im ka mbaruar”, është shprehur Ribery.

/Shqip.com