Sport Ndërkombëtar

Ribery para momentit të vështirë

Ylli i Salernitanas, Franck Ribery mund të njoftojë tërheqjen e tij nga futbolli në një konferencë shtypi javën e ardhshme, raporton La Gazzetta Dello Sport. Ish-futbollisti i Bayern Munich është përballur me një problem në gju që nga fillimi i sezonit.

Ai luajti vetëm 36 minuta në ndeshjen hapëse të Serie A kundër Romës. Sipas La Gazzetta Dello Sport, gjendja e tij e dobët fizike mund ta bindë Riberyn që të varë këpucët në mes të fushatës.

Gazeta italiane raporton se ish-ylli i Bayern Munichut mund të njoftojë tërheqjen e tij gjatë një konference për shtyp me presidentin e Salernitana, Danilo Iervolino javën e ardhshme.

Nëse Ribery tërhiqet nga aktiviteti, ai mund të mbetet ende në klub, duke u bërë ‘ambasadori’ i tyre në botë. Ribery kaloi dy sezone te Fiorentina, duke shënuar shtatë gola në 51 paraqitje para se të transferohej te Salernitana në 2021-2022.

Kontrata e tij u zgjat automatikisht pas mbijetesës së pabesueshme të skuadrës në sezonin e kaluar. Por, duket se tashmë gjunjët e tij nuk e  mbajnë më dhe do të tradhtohet e detyrohet të lërë futbollin.

I konsideruar si një nga futbollistët më të talentuar të gjeneratës së tij, e ka lidhur karrierën e tij kryesisht me Bayern Munich, ku luajti për dymbëdhjetë sezone dhe fitoi nëntë kampionate gjermane. Në fund të sezonit 2012-2013, i cili e pa atë të fitonte një treshe prestigjioze si protagonist (Bundesliga, Champions League dhe DFB Pokal), ai u shpall lojtari më i mirë në Evropë nga UEFA, përpara Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, dhe lojtari më i mirë i vitit në “Globe Soccer Awards”.

Ai numëron 81 paraqitje dhe 16 gola për kombëtaren franceze, me të cilën u bë nënkampion bote në vitin 2006. Me “Bleus” mori pjesë në dy kampionate botërore (2006 dhe 2010) dhe dy kampionate evropiane (2008 dhe 2012). ). Në nivel individual, ndër të tjera, ai është shpallur futbollisti francez i vitit tre herë (2007, 2008, 2013) dhe një herë futbollisti i vitit në Gjermani (2008).

/Shqip.com