Lajme

Rexhepi flet për vaksinimin anti-COVID’19 të pakicave: Komuniteti rom dhe egjiptian qëndrojnë mirë

Emilia Rexhepi.

Komuniteti rom në Prizren dhe komuniteti egjiptian në Gjakovë qëndrojnë mirë sa i përket vaksinimit kundër Coronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilia Rexhepi e cila bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen.

“Kemi informacione se në komunën e Prizrenit, komuniteti rom, është në masë të mjaftueshme i vaksinuar. Po ashtu, kemi informacione edhe nga kryetari i Gjakovës se komuniteti egjiptian është i vaksinuar me një përqindje mjaftë të mire”, ka thënë ajo për KP.

Rexhepi ka shprehur pakënaqësi për vaksinimin e boshnjakëve në Prizren, për shkak se thotë që vetëm 30 për qind e tyre janë vaksinuar kundër COVID-19.

Lexo edhe:
Afro 44 mijë raste aktive me COVID-19 në Kosovë

“Mirëpo kemi probleme në komunën e Prizrenit, ku komuniteti boshnjak në zonat rurale, veçanërisht në fshatra, nuk është mjaftueshëm i vaksinuar dhe statistikat tregojnë se pothuajse 30 përqind e komunitetit tonë atje është i vaksinuar, gjë që të gjithë duhet të veprojmë për të mbrojtur jetën e çdo qytetari”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja.

Tutje, Rexhepi u shpreh se pjesëtarët e komunitetit turk janë vaksinuar në masë të kënaqshme.

“Edhe komuniteti turk në komunën e Prizrenit është në masë të mjaftueshme i vaksinuar”, shtoi ajo.

Tutje zëvendëskryeministrja ka ofruar mbështetje në mënyrë që të gjitha komunitetet në komunat e Kosovës të kenë qasje në qendrat e vaksinimit.

“Andaj presim që të gjithë së bashku të jemi aktivë dhe pavarësisht se nga cila parti politike vijnë përfaqësuesit e komunave, ne si qeveri u japim përkrahje absolute të gjithë përfaqësuesve tanë në të gjitha komunat për t’u përballur me këtë problem dhe që të vaksinohen sa më shumë persona, që të mos kemi raste vdekjesh”, theksoi ajo.

Po ashtu, Rexhepi ka kërkuar angazhimin e të gjithëve, në mënyrë që të ketë rritje të numrit të të vaksinuarve.

“Edhe një herë, të gjithë duhet të kemi parasysh seriozitetin e kësaj gjendje për të mos rrezikuar jetën e popullatës sonë, dhe të gjithë do të angazhohemi për rritur numrin e qytetarëve të vaksinuar”, deklaroi ajo.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri më tash janë dhënë një milion e 773 mijë e 577 doza të vaksinës anti-COVID, teksa janë vaksinuar 804 mijë e 801 qytetarë me dozën e dytë.

Sipas të dhënave, 75 mijë e 445 persona kanë marrë dozën e tretë përforcuese të vaksinës anti-COVID./SHQIP.com