Lajme

Reciprociteti i targave nga perspektiva e Prishtinës, Beogradit dhe Brukselit

Vija kufitare Kosovë-Serbi.

Mëngjesin e së hënës, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikën kufitare, Jarinje, për ta zbatuar reciprocitetin me Serbinë për targat.

Pak kohë më pas, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se “askush s’mund të hyjë në Kosovë pa targa RKS”.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Por, serbët nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e një rendi që po cilësohet të jetë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit për lëvizjen e lirë.

Një numër i serbëve dolën në rrugë, pos protestave – bllokuan rrugën me dhjetëra kamionë.

Bllokimi i rrugës nga serbët duke kundërshtuar reciprocitetin e targave.

Nuk vonoi shumë, filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty, me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa njoftoi në Kuvendin e Kosovës për reciprocitetin e targave.

Aty gjeti kundërshtim – opozita që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ishin në përafrim mendimi.

“Kurti ka bërë show”, disa prej deputetëve aluduan te zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor.

Por, Kurti – kundërshtim s’kishte veç nga kundërshtarët e tij politikë, dikush nga kabineti i tij e kritikoi atë.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, që të reagojë.

“Kemi tentuar të flasim me Miroslav Lajçakun. Kemi folur edhe me Beogradin, ky nuk është aksion por reaksion, populli është i frikësuar. Bisedimet nuk janë tavolinë suedeze për të marrë çka do”, është shprehur ai.

Lexo edhe:
Edita Tahiri: Reciprociteti i targave në përputhje me marrëveshjen e Brukselit

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare, për të martën nga ora 10:00, kanë raportuar mediat serbe.

Por, para atij takimi, të hënën – në Beograd, Vuçiq do të takohet me emisarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka reaguar në stilin e zakonshëm.

Zëdhënësi i Unionit Evropian, Peter Stano, ka kërkuar nga Prishtina e Beogradi “të ulin tensionet”.

Nuk është raportuar për ndonjë incident eventual në pikat kufitare.

Por, zhvillimet e sotme e kanë një burim, kështu beson ish-negociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

Sipas saj, zbatimi i reciprocitetit është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit për Lëvizjen e Lirë. /Shqip.com