Lajme

Rasti “Brezovica”, Gjykata Supreme ua ka ndërprerë paraburgimin disa të pandehurve problematikë

Rasti i njohur “Brezovica” se fundi po përcjellët me pretendime për ndikime në këtë rast. Një ndër problemet e ngritura në shkresat e siguruara nga “Betimi për Drejtësi” janë edhe masat e caktuara ndaj të pandehurve, ku ndaj disa prej tyre, Gjykata Supreme ka ndërprerë paraburgimin, pavarësisht se të pandehurit kishin dëshmuar me veprimet e tyre se ishin problematikë.

Në këtë drejtim dy ndër vendimet e përfolura janë edhe ndërprerja e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Hajrush Ajvazi, Hysni Bajrami e Blerim Imeri të gjithë të përfshirë si të dyshuar për kryerjen e disa vepra penale në rastin “Brezovica”.

Në njërin rast, kolegji në përbërje të Kryetarit Rasim Rasimi dhe dy anëtarëve Valdete Daka dhe Afrim Shala në rastin e njohur si “Brezovica” ku janë të pandehur Hysni Bajrami, për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Marrja e ryshfetit”, Jadran Kostiç për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” dhe Blerim Imeri, për veprat penale “Dhënia e ryshfetit”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Shmangia nga tatimi”.

Duke vendosur për kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga mbrojtësit e të pandehurve kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj të datës 13 shtator 2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të datës 27 shtator 2022 në seancën e mbajtur të kolegjit me 27 tetor 2022 ka marrë aktgjykim, duke aprovuar kërkesat e Hysni Bajramit dhe Blerim Imerit, duke ua ndërprerë paraburgimin për t’i liruar për t’u mbrojtur në liri, ndërsa Jadran Kostiçit ia kanë refuzuar kërkesën, duke e mbajtur në paraburgim.

Sipas vlerësimit të kolegjit të Gjykatës Supreme, nga shkresat e lëndës rezulton dyshimi i bazuar se të pandehurit janë kryes të veprave penale për të cilat dyshohen, mirëpo kanë pushuar së ekzistuari bazat e artikulueshme, apo bazat ligjore për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit deri më tani.

Ndër të tjera, sipas Gjykatës Supreme, nuk qëndron as baza ligjore e parashikuar me dispozitat e nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale, sepse nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë rrethanë konkrete që e bën të arsyeshëm frikën e bazuar se me gjetjen e të njëjtëve në liri do të asgjësojë, fsheh apo ndryshojë provat e veprës penale apo do të ndikojë tek dëshmitarët dhe të pandehurit e tjerë, sepse provat gjegjësisht deklaratat e tyre ekzistojnë në shkresat e lëndës, të cilët e kanë pranuar edhe veprën penale.

Poashtu, duke pasur parasysh rrethanat personale të të pandehurve se më parë nuk kanë rënë në kundërshtim me ligjin, nuk është evidentuar ndonjë procedim penal ndaj të njëjtëve, nuk ka bazë ligjore as për vazhdimin e paraburgimit konform dispozitës së 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, përveç kësaj gjykata e shkallës së parë dhe të dytë, me rastin e vazhdimit të paraburgimit nuk kanë dhënë ndonjë arsye konkrete përpos përshkrimit të dispozitës ligjore.

Ndryshe, nga ky arsyetim i Gjykatës Supreme, rezulton se janë dëshmitë në shkresat e kësaj lënde. Të pandehurit Blerim Imeri, Gjykata Themelore në Ferizaj, pikërisht për shkak të dyshimit për “Ushtrim të ndikimit” dhe “Frikësimit gjatë procedurës penale”, ia kishte caktuar masën e paraburgimit, duke ia ndërprerë masat që ishin në fuqi ndaj tij, si masën e ndalimit për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar si dhe masën e dorëzanisë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe të Apelit, të cilën e ka aprovuar Gjykata e shkallës së parë, rezulton se më 31 maj 2022, dëshmitari bashkëpunues ishte kërcënuar nga Blerim Imeri.

Një kolegj tjetër i Gjykatës Supreme në përbërje të Kryetares Nesrin Lushta dhe dy anëtarëve Valdete Daka dhe Mejreme Memaj ia kishte ndërprerë masën e paraburgimit edhe të Hajrush Ajvazi, duke vlerësuar se kanë pushuar arsyet ligjore për mbajtjen në paraburgim.

Në këtë rast u konstatua se nuk qëndron fakti se i pandehuri mund të ndikojë tek dëshmitarët, sepse provat gjegjësisht deklaratat e tyre ekzistojnë në shkresat e lëndës.

Sipas shkresave të Prokurorisë, kjo nuk qëndron dhe nuk është e vërtetë sepse të paktën duhet të dëgjohen edhe 20 dëshmitarë që kanë të bëjnë me këtë të pandehur, i cili ka një numër të madh të villave të ndërtuara në zonën ku nuk lejohet ndërtimi dhe i cili poashtu ka qenë bashkëpunëtor kryesor me Bratisllav Nikolliqin, njërin nga të pandehurit kryesor në rastin Brezovica.

Prandaj, rreziku që ai të ndikoje tek një numër i madh i dëshmitarëve është i madh, por këtë gjë nuk e ka vlerësuar kështu Gjykata Supreme.

/Shqip.com