Lajme

Rama: Gëzuar abetaren e parë të unifikuar

Është krijuar abetarja e parë e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se abetarja e parë e unifikuar është krijesë e bashkimit të vullneteve të dy qeverive shqiptare.

“GËZUAR ABETAREN E PARË TË UNIFIKUAR, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen”, shkroi Rama në Facebook.

Lexo edhe:
Nxënësit në Kosovë dhe Shqipëri nga shtatori me Abetaren e përbashkët

Që nga 1 shtatori nxënësit e klasës së parë nga Kosova dhe Shqipëria do të mësojnë me një Abetare të përbashkët.

Kështu u bë e ditur në një konferencë për media nga ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, ku u tha se kanë përfunduar të gjitha procedurat lidhur me këtë çështje dhe me fillimin e vitit shkollor pritet edhe përurimi.

Ajo tha se në këtë përurim do të marrë pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi

Para tetë muajsh ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci së bashku me homologen e Shqipërisë, Evis Kushi, kanë nënshkruar marrëveshjen për përdorimin e një abetare të përbashkët në dy shtetet.

Lexo edhe:
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen për abetaren e përbashkët

Ministrja Nagavci në një konferencë për media ka thënë se bashkëpunimi në fushën e arsimit është i domosdoshëm.

E ministrja e Shqipërisë, Evis Kushi, deklaroi se dy vendeve u nevojitet një abetare e re pasi kanë ndërruar metodat dhe është zhvilluar teknologjia. Marrëveshja për krijimin e një abetareje të përbashkët është njëra ndër shumë marrëveshje të arritura në mes Kosovës dhe Shqipërisë./Shqip.com