Lajme

Kosova e Shqipëria nënshkruajnë marrëveshjen për abetaren e përbashkët

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci së bashku me homologen e Shqipërisë, Evis Kushi, kanë nënshkruar marrëveshjen për përdorimin e një abetare të përbashkët në dy shtetet.

Ministrja Nagavci në një konferencë për media tha se bashkëpunimi në fushën e arsimit është i domosdoshëm.

“Është kënaqësi për mua të pres ministren Kushi, dhe bashkërisht të nënshkruajmë marrëveshjen në lidhje me abetaren e re të përbashkët të cilën presim t’ua bëjmë dhuratë nxënësve tanë vitin e ardhshëm shkollor”.

“Bashkëpunimi në fushën e arsimit është më shumë se domosdoshmëri. Jemi të përkushtuar që të kemi aktivitete të shumta dhe jemi të lumtur që abetarja do të përdoret në të dyja vendet”, deklaroi ajo.

E ministrja e Shqipërisë, Evis Kushi, deklaroi se dy vendeve u nevojitet një abetare e re pasi kanë ndërruar metodat dhe është zhvilluar teknologjia.

“Mezi kam pritur vizitën në Kosovë. Nuk e kisha menduar qe vizita ime e parë në Prishtinë, do të ishte për një moment kaq të rëndësishëm, siç është nënshkrimi për abetaren e përbashkët”.

“Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë me kaq dashuri me njëri-tjetrin. Por, në nëntor promovuam një punë disavjeçare për librin lexues për diasporën shqiptare”.

“I vlerësoj të gjitha përpjekjet e kaluara për abetare. Por, tash na nevojitet një abetare e re, sepse kanë ndërruar metodat, është zhvilluar teknologjia”, deklaroi ajo.

Kushi falënderoi grupin punues që e ka finalizuar këtë marrëveshje.

“Është përgjegjësi e përbashkët të organizojmë një konkurs transparent që fëmijët tanë vitin e ardhshëm ta kenë një abetare të përbashkët”, u shpreh tutje ajo./SHQIP.com