Qytetarët ankohen për vonesë të autoambulancave – Drejtori i Qendrës Emergjente krenohet me mesataren e intervenimit
Vonesa e autoambulancave po vlerësohet problematike nga disa qytetarë në Prishtinë.
Një student për SHQIP.com ka thënë se për dy raste të ndryshme që ka ndodhur në Qendrën e Studentëve ka ardhur vetëm një ambulancë.
“Gjatë një mbrëmje në Qendrën e Studentëve kanë ndodhur 2 raste të studentëve të cilën nuk janë ndjerë mirë. Pas kësaj është thirrur emergjenca. Dhe në këtë rast është ardhur vetëm një autoambulancë. Të dyja rastet kanë qenë shumë të rënda dhe një autoambulancë nuk ka arritur që të merret me të dy rastet”, ka thënë ai.
Si rezultat, ai tregon se për rastin e dytë është dashur që të presin autoambulancë tjetër, e cila thotë të jetë vonuar afër një orë.
“Gjatë mjekimit të rastit të parë ku edhe janë detyruar ta dërgojnë të lënduarën në QKMF-në më të afërt nuk kanë arritur të shkojnë tek rasti i dytë dhe më këtë janë detyruar që ta thërrasin edhe një autoambulancë. Ku rastit i dytë është detyruar të pres gati një orë”.
Shqetësim të njëjtë ndanë edhe një qytetare e lagjes Tophane në këtë kryeqytet.
“Kam shumë persona të sëmurë në familje dhe në momentin kur po e thërrasim ambulancën në lagjen Tophane është duke u vonuar 30 minuta. A është normale një vonesë e tillë? Raste të tilla mund të jenë fatale”, ka shkruar një qytetare nga Prishtina.
Pacolli: Mesatarja e intervenimit është rreth 6 minuta
Në lidhje më këtë drejtori i Qendrës së Mjekësisë Emergjente në Prishtinë, Abdyl Pacolli për SHQIP.com ka thënë se mesataren e intervenimit e kanë rreth 6 minuta.
Ai shton se çdo herë përparësi kanë rastet emergjente.
“Sa i përket rasteve emergjente, ne mesataren e kemi rreth 6 minuta prej vendit të ngjarjes. Ndonëse për raste që janë kronike dhe nuk janë emergjente është një kohë më e gjatë pasi ata kanë edhe vizita të vazhdueshme. Të gjitha rastet që thërrasin në linjën 194 kanë me pranuar ndihmë , por më prioritet janë rastet si: aksidentet, vrasjet, therjet, krizat e ndryshme”, ka deklaruar ai.
Pacolli tregon se kanë 15 autoambulanca aktive, por shton nevojën për t’u furnizuar me të reja për shkak të gjendjes së tyre të vjetruar.
“I kemi 15 autoambulanca, në fakt 17 , por për momentin 15 janë në qarkullim pasi dy nga to janë të pa regjistruara. Për momentin ne jemi duke ia dalë, por ne kemi nevojë për autoambulanca tjera. Kemi ambulanca që janë më të vjetra, por që janë në funksion. Nevojat janë të vazhdueshme për të ripërtëri këtë sektor. Kemi bërë një pran strategjik për tri vitet e ardhshme për t’i realizuar kërkesat”, tha ai për SHQIP.com
Ai ka treguar se këto ambulanca kryejnë asistencë në të gjithë Komunën e Prishtinës si dhe komunat përreth.
“Intervenimi me këto autoambulanca bëhet në të gjithë Komunën e Prishtinës dhe fshatrat e saj, por bëjmë asistencë në të gjitha komunat që janë në regjion të Prishtinës si: Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujeve, Obiliq”.
Pacolli tha se janë në bisedime për ambulanca te reja.
Por, ndryshe nga Prishtina me mungesë të autoambulancave po përballen komunat e tjera.
Shqip.com ka raportuar ditë më parë se Komuna e Gjilanit posedon vetëm tri autoambulanca, e përkundër kërkesave të vazhdueshme nuk janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë./SHQIP.com
Për më shumë lexo edhe: