Lajme “Kemi nevojë për autoambulanca si buka për ujin”, ka thënë për Shqip.com drejtori i Spitalit të Gjilanit.

Donacionet për autoambulanca – shpëtim për mjekësinë në Kosovë

Ambulancat

Qytetarë të shumtë në Gjilan janë duke u ankuar për vonesat e autoambulancave.

Ata kanë treguar se për një aksident në magjistralen Gjilan- Prishtinë me tre persona të lënduar është dërguar vetëm një ambulancë.

“Ndihma e shpejtë apo e parë nga Gjilani ishte joprofesionale dhe ishte vetëm me një ambulancë për 3 persona të lënduar”, ka treguar një qytetar.

Kjo del të jetë në mungesë të ambulancave në këtë komunë.

Drejtori i Spitalit në Gjilan, Arsim Emini për SHQIP.com ka thënë se janë në gjendje të rëndë pasi kanë vetëm tri autoambulanca.

Ai ka thënë se në mungesë të tyre është vështirë të intervenohet në të gjitha rastet.

“Nuk ka mundësi që të intervenohet pasi në të njëjtën kohë mund të ndodhin disa raste, jo aksidente, intervenime, vrasje, therje, pastaj edhe transferime në QKUK ”, ka treguar ai.

Madje, nga këto tri autoambulanca një është donacion.

“Gjendja është shumë e keqe. Kemi tri autoambulanca aktive, një nga to është e vitit 2012, pra ka 10 vite që jemi duke e përdorë. Një nga to është donacion nga Qeveria japoneze. Kemi nevojë edhe për dy të tjera. Kemi nevojë si buka për ujin”.

Ai ka shtuar se tashmë kanë bërë kërkesë në Ministri të Shëndetësisë për t’u pajisur me të tjera, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

Drenasi dhe Obiliqi gjysmën e autoambulancave nga donacionet

Donacionet po del t’i plotësojnë nevojat edhe në komunat e tjera.

Drejtori i Spitalit në Skenderaj, Agron Mehmeti për SHQIP.com tha se kjo komunë gjysmën e autoambulancave i ka donacion nga një bashkatdhetar.

“Për momentin kemi gjashtë autoambulanca që janë funksionale dhe dy janë në riparim. Tash për tash nuk jemi shumë keq. Katër nga to janë donacion nga Suedia, falë një bashkatdhetari që jeton në Suedi”, ka treguar ai.

Ai tregon se ato që kanë pranuar kanë qenë të përdorura.

“Ato janë autoambulanca që janë shfrytëzuar një kohë dhe nuk janë të reja që na kanë dhënë . Por, gjendja e tyre nuk është e keqe. Ato nuk janë shfrytëzuar më në atë vend për shkak të vitit të prodhimit dhe ajrit që e ndotin, por ne në Kosovë kemi nevojë pavarësisht të gjithave. Nga ministria jemi duke e pritur edhe një për vaksinim dhe përkujdesje. Komuna ka shprehur gatishmëri për të na ndihmuar”, ka shtuar ai.

E varur nga donacionet del të jetë edhe Komuna e Obiliqit.

Drejtori i QKMF-së në Obiliq, Haki Jashari për SHQIP.com ka thënë se kjo komunë posedon 4 autoambulanca, dy prej tyre donacion nga Suedia.

“Numri i autoambulanca që posedojmë është katër, dy janë të blera nga komuna në vitin 2017  si dhe dy tjera donacion nga Suedia nga një bashkatdhetarë”.

Të dy këto komuna ashtu si Gjilani kanë kërkuar mbështetje nga ministria, por nuk kanë marrë pëlqim.

Nga Obiliqi thonë se janë diskriminuar në ndarje të mjeteve nga ministria.

“Kemi bërë që disa vite kërkesë në Ministri të Shëndetësisë  na janë refuzuar pasi drejtimi i atyre ka shkuar nga ka qenë orientimi i ministrit, zëvendësministrit në disa qytete, në përjashtim që vitin e kaluar kemi qenë në bisedime për me marrë një por që më pas kemi refuzuar për shkak të nevojave nga komunat tjera”.

Lidhur me numrin e autoambulancave të blera nga ministria dhe të fituara donacion, Shqip.com ka kërkuar të dhëna dhe sqarime nga MSH, por nuk janë përgjigjur./SHQIP.com