Lajme

Qeverisë i kërkohet të mbështetet nga buxheti edhe Sanxhaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Pasi Qeveria e Kosovës në projektbuxhetin për vitin 2022 ndau 2 milionë euro për Luginën e Preshevës, ka një kërkesë që të njëjtën ta bëjë edhe për Sanxhakun.

Këtë kërkesë përmes një kumtese publike e ka parashtruar Shoqata “Kosova për Sanxhakun”.

“Kosova dhe Sanxhaku kanë fatin e njëjtë, lidhje të forta gjaku të cilat janë ruajtur gjatë gjithë së kaluarës së hidhur”.

“Lidhjet farefisnore na detyrojnë të jem krah asaj popullate të vuajtur të lënë pas dore, e që ekzistencën e vet e mbështet në remitenca nga të punësuarit sezonal në Evropën perëndimore, ndërsa ekzistenca e subjektivitetit politik të këtij rajoni i ka shpresat te Republika e Kosovës”.

Lexo edhe:
Kryetarja e Preshevës: Ka qenë kërkesë e kahmotshme që Lugina të përfshihet në Buxhetin e Kosovës

“Përveç anës humane, Kosova ka interes strategjik që ta mbështes Sanxhakun në këto kohë kur po përballet me negociata të vështira e delikate me Serbinë”, thuhet në letrën publike.

Pos, kësaj shoqate edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka kërkuar që Qeveria të krijojë një linjë buxhetore për Sanxhakun.

“Albin  ndanë 2 milionë € për Luginën e Preshevës. Albin, do të të them të lumtë vetëm atëherë kur të njëjtën gjë do ta bësh edhe për Sanxhakun. Bëje tani, mos u frikëso”, ka shkruar Spahiu në Facebook.

Hapja e linjës buxhetore për Luginën e Preshevës është mirëpritur nga përfaqësuesit e kësaj treve.

Fillimisht, kryetarja e Preshevës, Ardita Spahiu ka thënë se kjo ka qenë një kërkesë e kahmotshme.

Ajo shprehi gatitshmëri të bashkëpunojë me Qeverinë e Kosovës për orientimin e këqyre fondeve.

Ndërkaq, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shqip Kamberi ka thënë se duhet të hartohet edhe një Plan dhe Program Shtetëror për funksionalizimin e një organi qeveritar.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Vendimin e Qeverisë e ka përshëndetur edhe lideri opozitar në Preshevën Shqiprim Arifi.

Është hera e parë që Kosova ka hapësire buxhetore direkt për Luginën e Preshevës.

Në të kaluarën dy qeveritë shqiptare kanë dhënë për Luginën shuma të caktuara, por jo përmes linjave specifike buxhetore.

Për këtë, ka pasur ankesa në trevat shqiptare që Tirana dhe Prishtina nuk po mbështesin shqiptarët (siç) bën Beogradi me Veriun e Kosovës. /Shqip.com