Ekonomi

Qeveria reagon pas deklaratës të BQK-së: Ka rritje ekonomike, Kurti u bazua në të dhënat e ASK-së

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas deklarimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti i cili gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa tha se “rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit është rreth 3.7%”.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha se deklarimi i guvernatorit të BQK-së po përdoret “pasaktësisht kinse si përgënjeshtrim i deklaratave të kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati”.

Sipas Kryeziut. kryeministri i vendit i është referuar shifrave të Agjencisë Kosovare të Statistikave (ASK) për tre mujorin e parë të vitit 2022, të cilat thonë se kishte rritje ekonomike 4.9% për këto tre muaj.

“Kryeministri Kurti në deklarimet e tij, e së fundmi në postimin me rastin e shënimit të 18-mujorit të Qeverisë, i është referuar të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave për 3 mujorin e parë të vitit 2022, sipas së cilave rritja ekonomike për tre muajt e parë të vitit është 4.9%. Citati nga postimi i kryeministrit: “Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”, ka shkruar Kryeziu.

Lexo edhe:
“Kurti 2” mbush 1 vjet e gjysmë qeverisje, Kurti numëron të arriturat
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai shtoi se Mehmeti folur për rritjen ekonomike gjatë tërë vitit kurse kryeministri Kurti, vetëm për tre muajt e parë.

“Ndërkaq, në raportimin e guvernatorit në këtë komision, ai i thotë se projeksionet e BQK-së janë se rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë 3.7%. Pra, guvernatori flet për projeksionin e rritjes ekonomike për gjithë vitin 2022 sipas projeksioneve të BQK-së, ndërkaq kryeministri Kurti ka folur për shifrat reale të rritjes në 3 mujorin e parë të vitit 2022”, përfundon Kryeziu.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti

Theksojmë se Mehmeti kishte deklaruar se rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit është rreth 3.7%, përderisa vitin e kaluar rritja ishte mbi 10%.

Mehmeti kishte deklaruar se si institucion po arrijnë ta ruajnë sistemin bankar, përkundër sfidave globale.

“Ky raport përmban një përmbledhje gjithëpërfshirëse të aktivitetit të BQK-së për vitin 2022 duke pasqyruar me fokus të dhënat dhe treguesit më të rëndësishëm të sektorit financiar të vendit për vitin përkatës”, u shpreh Mehmeti në Komisionin për Buxhet dhe Financa./Shqip.com

Lexo edhe:
BQK: Rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit është rreth 3.7 përqind