Ekonomi

BQK: Rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit është rreth 3.7 përqind

Para\Ilustrim

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit është rreth 3.7%, përderisa vitin e kaluar rritja ishte mbi 10%.

Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet se si institucion po arrijnë ta ruajnë sistemin bankar, përkundër sfidave globale.

“Ky raport përmban një përmbledhje gjithëpërfshirëse të aktivitetit të BQK-së për vitin 2022 duke pasqyruar me fokus të dhënat dhe treguesit më të rëndësishëm të sektorit financiar të vendit për vitin përkatës.

Përkundër rrethanave globale, sipas ASK-së, ekonomia kosovare ka shënuar rritje prej 10 për qind. BQK-ja me sukses ka arritur të përmbushë rolin e saj kushtetues dhe ligjor përmes vendimmarrjes profesionale të bazuar në standardet e parimet e qeverisjes korporative, pavarësisë dhe llogaridhënies”, tha Mehmeti.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci ka thënë se edhe norma e interest ka shënuar rënie.

“Vetëm në shtatë muajt e vitit 2022, ka një profit rreth 83 milionë euro fitim neto, që duke e krahasuar me vitin paraprak ka qenë 66 milionë euro. Pra shohim se ka rritje të profitit pa i prekur normat e interesit. Tek kreditë joperformuese po shkojnë në rënie, pra deri në korrik të këtij viti është 2.1 për qind norma e kredive, kurse në vitin paraprak ka qenë 2.6. Nëse shkojmë te depozitat, e shohim se janë rrit, ku në vitin 2022 i kemi rreth 5 miliardë euro depozita ndërsa në vitin paraprak ka qenë 4.5 miliardë”, tha Statovci.

Pal Lekaj deputet i AAK-së, tha se me ngritjen e interesit bankar po mbytet qytetari.

“Nëse flasim për relacionin qytetarë-bankë, mendoj se këtu çalon monitorimi i juaj. Norma e interesit në mikro-financa është shumë i lartë dhe nuk mund të thuani se këtu nuk mund të ndërhyni. Te garancionet bankare mendoj që BQK ka dështuar sepse në shumicën e rasteve nuk përgjigjen, dhe kush pëson më shumë është institucioni dhe bankat komerciale. Me ngritjen e interesit bankar mendoj që këtu duhet që të bëhet një zgjidhje sepse BQK është rregulluese dhe e them këtë se e kemi mbytur qytetarin”, tha Lekaj.

E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se bujqit dhe familjet me kushtë të vështira po i vuajnë më shumë normat e larta të interesit.“Bujqit dhe familjet e varfëra janë ata që po i vuajnë rritjen e kamatave. Po marrin kredi në bankat mikro-financiare, që kanë një normë të interesit shumë të lartë. Ka bujq që marrin kredi dhe nuk mund t’i rikthejnë me kohë, dhe bujqit në momentin që i marrin subvencionet i paguajnë kreditë. Me keqardhje e them se shumica e subvencioneve shkojnë në mbulim të kredive”, tha Hoti.

Tutje Hoti foli edhe për pagesat që kryhen me dinarë dhe qytetarët që i marrin pensionet me këtë valutë./SHQIP.com