Lajme

Qeveria jep detaje për takimin e Kurtit me ambasadorët në Kosovë

Foto nga takimi

Kryeministri Albin Kurti sot ka zhvilluar një takim me ambasadorët në Kosovë, takim ky që u zhvillua në ndërtesën e Qeverisë.

Përmes një komunikate për media, Qeveria ka dhënë detaje në lidhje me këtë takim, ku fillimisht thuhet se Kurti i ka informuar ambasadorët në lidhje me ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër.

“Në këtë takim të gjerë e të përbashkët, ai i informoi ata për ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe për rezultatin e arritur aty me rastin e dakordimit publik për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë.Në tekst të Aneksit të dakorduar në Ohër thuhet që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksit, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Aty po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se Kurti ka theksuar se delegacioni i Kosovës ka qenë maksimalisht I përkushtuar dhe konstruktiv.

Lexo edhe:
Hovenier pas takimit me Kurtin: Të përmbushët obligimi për Asociacionin

“Kryeministri Kurti theksoi se delegacioni i Republikës së Kosovës kanë qenë maksimalisht të përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala tjetër, e cila, sikurse në Bruksel me 27 shkurt, përsëri refuzon të nënshkruajë. Rruga për procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian është e hapur”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka folur pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti së bashku më ambasadorët e tjerë të akredituar në vend.

Nga ky takim, Hovenier thotë se Kurti ka treguar për marrëveshjen e arritur në Ohër si dhe ai thotë që kanë kërkesë që të përmbushët obligimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ai shpalosi vizionin e tij shumë të qartë për të parë të zbatuar këtë marrëveshje të cilën ne e mbështesim fuqishëm. Kemi një kërkesë të qëndrueshëm  ndaj kryeministrit që të punojë me ne për të përmbushur obligimet që ka marrë Kosova, për ta zbatuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e që është pjesë e këtij procesi”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan tha se në këtë takim është biseduar edhe për zbatimin e marrëveshjes bazë më të gjitha elementet e saj.

/Shqip.com