Lajme

Publikimi i përgjimeve të Shqip.com – Sallahu: Vettingu në drejtësi s’ka alternativë

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu

Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se vettingu në sistemin e drejtësisë nuk ka alternativë, ka thënë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, pas publikimit të përgjimeve nga Gazeta Shqip.com lidhur me përfshirjen e prokurores së krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, në një rast ku ka ushtruar ndikimin e saj duke keqpërdorur pozitën që mban në këtë institucion.

Sipas tij, vetëm përmes vettingut mund të sigurohet që brenda sistemit të drejtësisë në Kosovës të ketë vetëm njerëz që i binden ligjit dhe jo ndikimeve e as shantazheve a kërcënimeve.

Sallahu u ka bërë thirrje këshillave përkatës “të mos qëndrojnë të heshtur por të ndërmarrin veprime në përputhje me kompetencat”.

“Dje u publikuan 2 përgjime të prokurores së krimeve të rënda për të cilat nuk pamë asnjë reagim të institucioneve përkatëse, dhe jo vetëm, ndërkaq u paralajmëruan edhe pjesë të tjera të përgjimeve”.

“Në këto përgjime të publikuara nga portal ‘’Shqip’’ u përmenden edhe emra të tjerë si ai i kryeprokurorit të shtetit e i gjyqtarit Driton Muharremi. Institucionet e drejtësisë duhet të jenë shembull për këdo. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kenë edhe integritet moral por edhe profesional dhe çfarëdo veprimi që cenon integritetin duhet të ndëshkohet”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Në përgjimet e bëra publike të premten nga Shqip.com, përmenden emra të njohur të sistemit të drejtësisë, e madje edhe udhëheqës të lartë të këtij institucioni. Asllani u shfaq duke folur për ushtrim të ndikimit në zyrtarë të tjerë duke përfshirë edhe të tillë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI), e madje edhe ndihma e saj e dhënë ndaj një personi për t’u bërë gjyqtar.

Ndonëse përgjimet janë publikuar qysh në orën 10:00 të mëngjesit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka deklaruar se ende nuk kanë informacion se çfarë ka ndodhur me këtë rast.

Të pyetur nëse është iniciuar ndonjë procedurë deri më tash, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, ka thënë se sapo të ketë ndonjë veprim, Prokuroria do ta bëjë të ditur.

“Nuk kam informata aktualisht lidhur me këtë çështje, nuk jam e njoftuar nëse është ndërmarrë ndonjë veprim në momentin që kemi diçka ju njoftojmë, por aktualisht nuk kemi informata se çfarë ka ndodhur me këtë rast”, ka theksuar ajo.

Lidhur me publikimin e përgjimeve ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se vettingu në sistemin e drejtësisë është i pashmangshëm.

Sipas tij, me këto përgjime është cenuar integriteti i sistemit prokurorial “gjë që kemi deklaruar edhe më herët qe sistemi i drejtësisë konkretisht sistemi Prokurorial është i kapur dhe i shantazhuar”.

“Drejtësia nuk bëhet me shantazhe e as me klane, por me zbatim të përpiktë tē ligjit”, ka shkruar Bajqinovci.

Lexo edhe: Ekskluzive: Ndërhyrje në raste, ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës dhe fotografi të dyshimta – rasti me plot dritëhije i prokurores Shemsije Asllani