Lajme

Deputeti i VV-së pas publikimit të përgjimeve nga Shqip.com: Vettingu është i pashmangshëm

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci

Pas publikimit të përgjimeve nga Gazeta Shqip.com lidhur me përfshirjen e prokurores së krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, në një rast ku ka ushtruar ndikimin e saj dhe duke keqpërdorur pozitën që mban në këtë institucion, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se vettingu në sistemin e drejtësisë është i pashmangshëm.

Sipas tij, me këto përgjime është cenuar integriteti i sistemit prokurorial “gjë që kemi deklaruar edhe më herët qe sistemi i drejtësisë konkretisht sistemi Prokurorial është i kapur dhe i shantazhuar”.

“Drejtësia nuk bëhet me shantazhe e as me klane, por me zbatim të përpiktë tē ligjit”, ka shkruar Bajqinovci.

Në përgjimet e bëra publike të premten nga Shqip.com, përmenden emra të njohur të sistemit të drejtësisë, e madje edhe udhëheqës të lartë të këtij institucioni. Asllani u shfaq duke folur për ushtrim të ndikimit në zyrtarë të tjerë duke përfshirë edhe të tillë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI), e madje edhe ndihma e saj e dhënë ndaj një personi për t’u bërë gjyqtar.

Lexo edhe: Ekskluzive: Ndërhyrje në raste, ushtrim i ndikimit, keqpërdorim i pozitës dhe fotografi të dyshimta – rasti me plot dritëhije i prokurores Shemsije Asllani