Art Jetese

Pse problemet me gjumin rrisin rrezikun e tensionit të lartë

Tensioni i lartë i gjakut është një nga rreziqet që i kanosen njeriut nga mungesa e një gjumi cilësor.

Pagjumësia kronike është një term që përshkruan vështirësinë e vazhdueshme në të fjetur për më shumë se 6 muaj.

Sipas studimit, njerëzit me pagjumësi kronike të cilëve iu duhej më shumë se 14 minuta për të fjetur, ishin 3 herë më të rrezikuar nga tensioni i lartë.

Sa më shumë kohë ju duhet njerëzve që t’i zërë gjumi, aq më i madh është rreziku i tensionit të lartë.

Pagjumësia kronike ka ndikim tek njeriu gjatë gjithë ditës.

Njerëzit e prekur nga pagjumësia, ata që e kanë të vështirë të flenë pa ndërprerje apo ata të cilët i zë gjumi me vështirësi, e kanë të pamundur të flenë edhe gjatë ditës.

Ndonëse të pagjumë, ata janë të lodhur, por nuk qetësohen dot dhe janë shumë aktivë.

Problemet me gjumin dhe tensionin prekin më shumë gratë

Gratë janë më të prekura nga problemet me gjumin.

Kjo ndodh jo vetëm për shkak të volumit të punës. Ndodh edhe  prej ndryshimeve hormonale jo vetëm në muaj, por gjatë gjithë jetës, shkruan Agroweb.

Studime të tjera thonë se gratë që përjetojnë probleme sado të vogla me gjumin, kanë tension më të lartë.

Sipas studimeve, ndonëse gratë mund të plotësojnë sasitë e orëve të gjumit, shqetësimet më të vogla gjatë natës rrisin rrezikun e tensionit të lartë.