Kulturë

Prezantimi i letërsisë shqipe jashtë kufijve shqiptarë

Prezantimi i letërsisë shqipe jashtë kufijve shqiptarë. Ilustrim
Prezantimi i letërsisë shqipe jashtë kufijve shqiptarë. Ilustrim

Për sa i përket prezantimit të letërsisë shqipe jashtë kufijve shqiptar, vlen të theksohet se ata janë vetëm disa shkrimtarë që kanë “depërtuar” jashtë viseve të tjera shqipfolëse.  

Andaj, është koha për një paraqitje më dinjitoze të letërsisë shqipe, sepse parimisht ka vlera letrare / estetike.

Sipas vlerësimit kritik, është vetë lexuesi që do të japë gjykimin përfundimtar për të gjitha veprat e përkthyera në gjuhë të ndryshme të botës dhe anasjelltas.

Shkrimtari i njohur, Xhavit Beqiri, njëherësh studiues dhe profesor universitar, ka thënë se asnjëherë nuk mund të thuhet se një letërsi është prezantuar mjaftueshëm në gjuhët e huaja, aq më pak kur është fjala për letërsinë shqipe. 

Xhavit Beqiri – Shkrimtar, njëherësh studiues dhe profesor universitar

“Krijuesit tanë që ‘kanë depërtuar’ jashtë arealit gjuhësor shqip janë të paktë. Me gjasë, sot letërsia shqipe në botë përfaqësohet më së shumti me emrin e Ismail Kadaresë, vepra e të cilit është përkthyer dhe është lexuar nga një audiencë më e gjerë lexuesish të huaj”, ka thënë Xhavit Beqiri, për mediumin Shqip.com. 

E, përkthyesi i njohur, Klodian Briçi, njëherësh fituesi i Çmimit “Hans Christian Andersen”, ka thënë se, për mendimin tim, si përkthyes i shumë veprave, letërsia shqipe është bërë fare pak e njohur, në mos aspak e njohur.

Sot përballemi me shkrimtarë të mëdhenj botërorë që janë mjaft të njohur, por të cilët s’besoj se qëndrojnë më poshtë se shkrimtarët tanë më të mirë, madje edhe ata të rinj të ne që janë mjaft premtues”, ka thënë për mediumin Shqip.com, përkthyesi Briçi.

Të njëjtin mendim e ndanë edhe shkrimtari Fatmir Halimi, njëherësh botues i letërsisë së sotme shqipe dhe jo vetëm.

Nëse i referohemi letërsisë shqipe brenda kufijve tanë, sot kemi një letërsi kuantitative të jashtëzakonshme, por kemi një letërsi shumë pak kualitative dhe duke u nisur nga kjo letërsia jonë sot shumë pak, apo fare nuk është e prezantuar jashtë kufijve ekzistues”, ka thënë Halimi për mediumin Shqip.com.

Tutje, studiuesi Beqiri ka thënë se, pa dyshim, nuk është bërë mjaft për prezantimin e letërsisë shqipe jashtë kufijve shqiptar! Madje, sipas tij, nuk është bërë aq sa mund të bëhej edhe përbrenda mundësive tona modeste. 

Porse, kjo mbase ka shpjegim: përkthimi është ‘zeje’ shumë e rëndë. Që të jesh përkthyes i mirë i letërsisë, duhet të jesh edhe njohës shumë i mirë i saj. Përkthimi i një teksti letrar do mund, dije dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Veprat në prozë ndoshta kapërdihen disi, por ato në poezi vërtet janë sfidë e madhe. Përveç anës semantike, përkthyesit të poezisë i duhet të ketë parasysh strukturën e vargut, ritmin, rimën, theksin etj. Pra, përkthyesi i poezisë duhet të jetë, po ashtu, edhe mjeshtër i vargut! Ndryshe, poezia origjinale humb kuptimin dhe shkëlqimin e saj”, ka thënë Beqiri.

Po ashtu, edhe përkthyesi Briçi ka thënë se nuk është bërë mjaft në këtë drejtim.

Duket sikur ka një çinteresim për të mos e bërë të njohur nëpër botë letërsinë tonë të këndshme shqiptare. E kundërta ndodh me shkrimtarët botërorë që janë të njohur jo vetiu”, ka thënë Briçi.

Klodian Briçi – Përkthyes i njohur shqiptar

Fatmir Halimi ka thënë se, unë si shkrimtar, por edhe si botues, realisht i kemi dyert e mbyllura që ta prezantojmë letërsinë tonë jashtë kufijve shqiptar.

Sipas tij, edhe teknologjia e ka bërë që shumë shkrimtarë e sidomos poetë që të prezantohen se janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, por që kjo realisht nuk ekziston, pasi që librat e tyre nuk gjenden askund në tregun ndërkombëtar të librit.

Pra, këtë po e bëjnë sa për ta kënaqur veten dhe pa për ta gënjyer publikun, apo lexuesin shqiptarë”, ka thënë Halimi.

Pengesat për të pasur një letërsi të konsoliduar dhe të prezantuar në mënyrën më të mirë janë edhe të natyrës institucionale.

Sidoqoftë, mund të theksohet pa drojë – sidomos për ne në Kosovë – se as nuk ka pasur, as që duket se do të ketë së shpejti një strategji institucionale për përkthimin dhe “plasimin” e letërsisë sonë në gjuhë të huaja. Rrjedhimisht, harta e letërsisë shqipe në botë do të jetë e ngushtë dhe e cunguar”, ka thënë në fund Xhavit Beqiri, për mediumin Shqip.com.

E, përkthyesi, Klodian Brici, ka thënë se vërej që organet e posaçme që merren me reklamimin dhe bërjen të njohur të letërsisë sonë s’kanë bërë atë punë që duhej të bënin, ose duket sikur s’duan ta bëjnë punën e tyre. Sepse, sipas tij, s’ka si shpjegohet dot që letërsia jonë, ndonëse ka korifenj dhe emra të mëdhenj, s’ka gjetur hapësirë nëpër botë.

Madje, sipas tij, si ka mundësi që shkrimtarët ballkanas janë të njohur ndërsa shkrimtarët e shqiptarëve nuk njihen? Atëherë kjo tregon se organet e posaçme s’kanë interes ta bëjnë të njohur letërsinë tonë nëpër botë.

Po sipas Briçit, po të donte, shteti mund të kishte bërë shumë për letërsinë tonë.

E kundërta ndodhte në komunizëm: atëherë shteti investonte që veprat e shkrimtarëve tanë të mëdhenj të përktheheshin në gjuhët kryesore evropiane, sidomos në frëngjisht, italisht dhe anglisht. Më bëri përshtypje njëherë një libër i Dritëro Agollit dhe një tjetër i Jakov Xoxës të përkthyera në italisht“, ka thënë Briçi.

I pashë të shiteshin te një tezgë librash të vjetër. Thashë me vete: «Po si ka mundësi që tani shkrimtarët tanë bashkëkohorë nuk i përkthen kush me përjashtim të shumë pak të tillëve?» Ja, pra, duhet ndërhyrja e fuqishme e shtetit që letërsia jonë të bëhet e njohur sepse kemi një plejadë të madhe shkrimtarësh të shkëlqyer, mjerisht të panjohur për lexuesit ndërkombëtarë”, ka thënë në fund Briçi, për mediumin Shqip.com

Shkrimtari Halimi, ka thënë së, sa i përket institucioneve tona në Kosovë, po shkruaj me kompetencë se deri me sot kanë bërë shumë pak, apo më mirë të them nuk kanë bërë asgjë në ndërkombëtarizimin e letërsisë shqipe.

Fatmir Halimi – Shkrimtar, njëherësh botues i letërsisë së sotme dhe jo vetëm

Është e çuditshme shprehja e politikanëve tanë ‘Libri është ambasadori më i mirë i prezantimit të kulturës se një populli’ dhe për këtë të mos bëhet asgjë”, ka thënë Halimi.

Tutje, sipas tij, me ligjet ekzistuese, Ministria e Kulturës është e obliguar që fituesit e çmimeve vjetore ‘Anton Pashuku’ t’i përkthej të paktën në njërën nga katër gjuhët e botës, gjë që këtë deri me sot nuk e ka bërë asnjë ministër i kulturës.

Shpresoj se institucionet tona do të ndërrojnë qasje sa i përket ndërkombëtarizmit të librit, apo të letërsisë shqipe”, ka thënë në fund Halimi, për mediumin Shqip.com.

Mendoj, se ka hapësirë për prezantime nga më të ndryshmet, me të cilat do të kuptohen më mirë letërsia shqipe dhe trajtimi i saj.

/Shqip.com