Lajme

Presidenti i Shqipërisë refuzon të takojë përfaqësuesit e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka refuzuar t’i takojë udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK ka shprehur keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me presidentin e ri të Shqipërisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë.

Për dallim nga krerët insitucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj”, thuhet në përgjigjen për Shqip.com.

“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë.  LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, thuhet tutje.

Bajram Begaj, president i Shqipërisë

Begaj sot është takuar me drejtuesit e partive opozitare të PDK-së dhe të AAK-së, si dhe me përfaqësues të partive minoritare.

Vizita e Begajt në Kosovë ka nisur më 15 gusht ku është pritur me nderime shtetërore nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.

Përveç Osmanit, Begaj ka takuar edhe kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin.

Gjatë qëndrimit në ditën e parë në Prishtinë presidenti i Shqipërisë ka deklaruar se të dy vendet ndajnë aspiratat e njëjta drejt rrugës evropiane.

Ai ka thënë se Shqipëria e mbështet Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndërsa ka theksuar se do të jetë zëri i Kosovës aty ku i jepet mundësia.

Lexo edhe:
Begaj: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave premtim i vonuar

Presidenti i Shqipërisë ka bërë homazhe pranë varrit të presidentit historik Ibrahim Rugova si dhe familjes Jashari në Prekaz./Shqip.com