Lajme

Begaj: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave premtim i vonuar

Bajram Begaj, president i Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë është takuar me presidenten, Vjosa Osmani.

Gjatë konferencës së përbashkët, presidenti Begaj, ka thënë se Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës në OKB. Ai ka shprehur mbështetje për anëtarësimin e  Kosovës në NATO dhe të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

Begaj ka shtuar po ashtu se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar.

Pamje nga takimi midis Vjosa Osmanit dhe Bajram Begaj

“Hapja e negociatave me BE për Shqipërinë një hap shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar. Unë sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Begaj.

Ndërkaq e para e shtetit, Vjosa Osmani ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj për mbështetjen që ai personalisht dhe Shqipëria ia ka dhënë Kosovës.

Të dy presidentët krahas ofrimit të mbështetjes për njëri tjetrin kishin mesazhe edhe për Bashkimin Evropian.

Presidentja, Osmani bëri thirrje që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm për veprimet destabilizuese të Serbisë në veri./Shqip.com