Lajme

Pozhari për Selmanajn: Urrejtja e tij ndaj Kurtit e bën lehtësisht të dyshimtë për skenarë të tjerë

Xhevdet Pozhari dhe Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar pas publikimit të një fotografie të siguruar nga Shqip.com, ku shihet me snajperistin Prekë Kodra, i cili dyshohet për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit, Albin Kurti.

Selmanaj ka thënë se Kodrën e ka takuar rastësisht dhe se nuk e njeh personalisht.

E ky arsyetim nuk po ia mbush syrin gazetarit, Xhevdet Pozhari.

Ky i fundit përmes një shkrimi në Facebook, thotë se Selmanaj përmes përpjekjes për t’u arsyetuar “veç ka sharru më shumë”.

“Driton Selmanaj qenka mundu me e sqaru fotografinë ku ai ndodhet me personin që ditëve të fundit është bërë lajm për planifikim atentatesh në Kosovë. Veç paska sharru ma shumë!”.

E mënyrën e takimit të Selmanajt me të dyshuarin kryesor për tentim atentatin ndaj Kurtit, Pozhari e quan edhe trillim.

“Paska thënë se kur është taku ka qenë fundi i vitit 2020. Në atë periudhë Driton Selmanaj ka qenë hiq më pak sesa njeriu i dytë i Qeverisë, pra zv/kryeministër i Hotit.

Thotë se ka mjaftuar një telefonatë dhe ai rastësisht ka qenë në rrugën Prishtinë – Prizren dhe është ndalë qaty si pahiri me i nderu do mysafirë që janë miq të vëllaut të gruas së djalit të axhës së tij. Çfarë trillimi interesant!”, shkruan më tej, Pozhari.

Lexo edhe:
Ekskluzive: Deputeti Selmanaj në darkë me snajperistin Prekë Kodra- që dyshohej për planifikimin e atentatit ndaj Kurtit

Gazetari Pozhari thotë se deputeti i LDK-së, po mundohet ta minimizojë ndikimin e tij politik me titullin “deputet” dhe “person publik”, kur gjatë kohës kur ishte zhvilluar takimi, Selmanaj ishte zv/kryeministër i vendit.

“Veten mundohet ta reduktojë veç në “deputet” dhe “person publik”, kur në fakt në atë periudhë ishte një vendimmarrës i rëndësishëm i Qeverisë, hiq më pak se numri 2, takohet pa agjendë, pa përcjellje, veç ashtu si rastësisht.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj dhe Preke Kodra

Thotë se nuk i ka marrë në pyetje se kush janë! Njeriu instinktivisht pyet dikënd që e takon rishtazi se me çfarë merret, e lëre me një zv/kryeministër që e ka edhe obligim ligjor kujdesin se me kënd shoqërohet në orët e vona të natës, nëpër skutat e katundeve të Prizrenit”.

E krejt në fund, Pozhari shkruan se urrejtja e Selmanajt ndaj Kurtit, e bën të dyshimtë për skenarë të tjerë.

“E, nëse merret parasysh urrejtja e tij për Albin Kurtin, lehtësisht e bën të dyshimtë edhe për skenarë të tjerë. Gjë që unë nuk dua ta besoj!”, përfundoi ai.

Lexo edhe:
Selmanaj reagon pas publikimit të fotografisë së tij me të dyshuarin për planifkimin e tentim vrasjes ndaj Kurtit

Në lidhje me rastin, Shqip.com ka provuar të marrë përgjigje nga Prokuroria Speciale, nëse hetimet kanë kaluar tek ta dhe nëse ka pasur të dyshuar të tjerë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Lexo edhe:

Dokument(FOTO):Në vitin 2021 u planifikua një atentat me snajper ndaj Albin Kurtit

Për rastin e tentim atentatit kishte qenë i njoftuar vetë Kurti nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, për çka ishin marrë masa shtesë për parandalimin e veprimit.

Lexo edhe:

Qeveria konfirmon tentim atentatin ndaj Albin Kurtit

Në dokumentin e publikuar nga grupi i hakërreve “Homel and Justice” që dyshohet të jetë marrë nga emaili i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Shqipëri, Gledis Nano, thuhet se paraprakisht ishte paraparë atentatit ndaj Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, pastaj ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet dhe në fund ndaj Kurtit, me qëllim që atentati të duket hakmarrje./Shqip.com