Lajme

Selmanaj reagon pas publikimit të fotografisë së tij me të dyshuarin për planifkimin e tentim vrasjes ndaj Kurtit

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar pas publikimit të një fotografie të siguruar nga Shqip.com, ku shihet me snajperistin Prekë Kodra, i cili dyshohet për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit, Albin Kurti.

Selmanaj përmes një sqarimi të publikuar në Facebook, thotë se takimi me Kodrën ishte i rastësishëm dhe se të njëjtin nuk e njeh personalisht.

“Ka qenë fundi i vitit 2020, unë isha rrugës në relacionin Prishtinë – Prizren dhe më merr në telefon Beg Salihi (mik i familjes sonë / vllau i gruas së djalit të axhës tim), ku më thotë që nëse ke pak kohë eja ta pijmë nga një kafe se i kam ca miq nga Shkodra. Unë për respekt për mysafirët nga Shqipëria ndalem në një restoran në fshatin Korishë të Prizrenit. Aty kanë qenë dy mysafir nga Shkodra, miku i familjes sime dhe disa të afërm të mikut tim”, ka shkruar Selmanaj.

Deputeti i LDK-së, shton se nuk ia ka ditur as emrin dhe se pas atij takimi nuk është takuar asnjëherë më me Kodrën.

Lexo edhe:
Ekskluzive: Deputeti Selmanaj në darkë me snajperistin Prekë Kodra- që dyshohej për planifikimin e atentatit ndaj Kurtit

“Në restoran kemi qëndruar përafërsisht mbi 1 orë dhe nga ajo ditë personin në fjalë nuk e kam takuar kurrë. Pra kjo ka qenë hera e parë dhe fundit që e kam takuar dhe as atëherë dhe as sot emrin nuk ja kam ditur. Kjo ka qenë e gjitha! Çdo shpjegim apo intepretim tjetër është GABIM dhe GËNJESHTËR.

Fatmirësisht apo fatkeqësisht ne si deputet apo persona publik, jo rrallë herë na bjen të takohemi me shumë njerëz dhe asnjëherë para apo gjatë takimit me ta, ne nuk ua kërkojmë biografitë apo CV- të e tyre. Me gjasë ky është rrisku që duhesh ta paguash kur je person publik”, përfundon deputeti Selmanaj.

Në lidhje me rastin, Shqip.com ka provuar të marrë përgjigje nga Prokuroria Speciale, nëse hetimet kanë kaluar tek ta dhe nëse ka pasur të dyshuar të tjerë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Lexo edhe:
Dokument(FOTO):Në vitin 2021 u planifikua një atentat me snajper ndaj Albin Kurtit

Për rastin e tentim atentatit kishte qenë i njoftuar vetë Kurti nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, për çka ishin marrë masa shtesë për parandalimin e veprimit.

Lexo edhe:
Qeveria konfirmon tentim atentatin ndaj Albin Kurtit

Në dokumentin e publikuar nga grupi i hakërreve “Homel and Justice” që dyshohet të jetë marrë nga emaili i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Shqipëri, Gledis Nano, thuhet se paraprakisht ishte paraparë atentatit ndaj Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, pastaj ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet dhe në fund ndaj Kurtit, me qëllim që atentati të duket hakmarrje./Shqip.com