Lajme

Policia dhe Dogana aksion në veri – kontrollohen disa lokacione

Policia e Kosovës

Policia dhe Dogana e Kosovës mëngjesin e së shtunës kanë realizuar kontrolle në tri lokacione në Veri të vendit.

Dogana njofton se qëllimi ishte të kontrollohen bizneset të cilat operojnë në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupce dhe një tjetër në fshatin Uglar.

Operacioni ka pasur qëllim kontrollin e bizneseve për shmangie të tatimit si dhe veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Operacioni ka rrjedhur pa asnjë incident.

“Dogana e Kosovë në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj , me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095”.

“Dogana e Kosovës rishtazi ka lansuar aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron mundësi për verifikim të kilometrave të automjeteve të importuara nga muaji Shtator”.

Ndryshe, mëngjesin e 13 tetorit, Policia së bashku me Doganën e Kosovës, kanë zhvilluar një operacion kundër kontrabandimit të mallrave në disa rajone të vendit.

Operacioni është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Veriut, ku serbët lokalë penguan zyrtarët policorë në kryerjen e këtij operacioni duke i sulmuar ata me armë zjarri, granata dore, shok bomba etj. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar tetë persona.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se të lënduar nga ky aksion mbetën 10 zyrtarë policorë, teksa shtoi se ka dyshime që ky aksion u dekonspirua – gjë për të cilën kanë nisur hetimet./SHQIP.com