Lajme

Policia demanton raportimet e mediave serbe do të ketë operacion në Mitrovicën Veriore

Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka mohuar raportimet e mediave serbe se ata janë duke përgatitur ndonjë operacion në Mitrovicën Veriore.

Zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani, për Shqip.com, ka deklaruar se shkrimet e tilla janë të pavërteta dhe që kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik.

Lexo edhe:
“Kurir” raporton se Policia e Kosovës po përgatit aksion në Mitrovicën Veriore

“Referuar shkrimeve dhe publikimeve të bëra sot 10/12/2021 nga disa mediume kryesisht serbe, se kinse njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë përforcuar në jug të Mitrovicës dhe po përgatitet të hyjnë në veri të Mitrovicës, ju informojmë se informacionet dhe shkrimet e tilla janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik. Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në baza ditore kryen aktivitete dhe punë rutine policore”, ka thënë Kelani.

Ndryshe, gazeta serbe “Kurir” ka raportuar të premten se Policia e Kosovës është duke përgatitur një aksion në Mitrovicën Veriore.

Sipas medies serbe, rreth 100 pjesëtarë të Njësisë Speciale “ROSU” po qëndronin në gjendje gatishmërie e të armatosur.

Tutje, gazeta serbe që është e afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka raportuar se pjesëtarët e Njësisë Speciale po qëndronin në kampin “Belvedere” në Mitrovicën Jugore./SHQIP.com