Lajme

Podujevë: Vëllai pretendon se motra i vdiq nga helmimi, flasin nga AUV

Vëllau i gruas që vdiq nga helmimi në Podujevë

Lavdim Shala, vëllau i Hajrie Shalës, tha se motra e tij ka vdekur të martën pas helmimit me ushqim në një të pame rreth një muaj më parë në fshatin Trudë të Prishtinës, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, e ndjera nuk ishte duke vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër, madje as nuk ka qenë e infektuar me COVID-19, por që thotë gjendja e saj ishte e rëndë me dëmtim të rëndë të zorrëve.

Lexo edhe:
Ramadani jep detaje për rastin e helmimit: Një familje porositi ushqim për 85 persona

“Dyshojmë që edhe mjekët edhe ne që shkaktar ka qenë helmimi. Motra e ka pasë një intervenim kirurgjik të enjten. Gjendja ka qenë e rëndë me dëmtim të rëndë të zorrëve. Ka qenë në gjendje të rëndë. Ka pasë helmim në të gjithë trupin.

Para një muaji kemi pasë të pame në familje. Kanë qenë të helmuar edhe 80 persona të tjerë, të cilët kanë pasur simptoma të helmimit. 99 përqind shkaktar i vdekjes së motrës është helmimi”, tha ai për Klan Kosova.

Shqip.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, i cili theksoi se në raportin e AUV-it, pas inspektimit të kushteve higjienike sanitare, thuhet se kishte mundësi të kontaminimit për shkak se në të njëjtën hapësirë ruhen produktet e gatshme për konsum me produktet-lëndë të parë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë

“Në inspektim të kushteve të përgjithshme higjienike sanitare u vlerësuan  në nivel mesatar, shumica e hapësirave janë të ndërtuara nga material që lehtë pastrohet dhe mirëmbahet, por kishte mundësi të kontaminimit të kryqëzuar, pasi që në të njëjtën hapësirë ruhen produktet e gatshme për konsum me produktet-lëndë të parë. 

Djathi, sosat ishin shumë afër vezëve, pa asnjë ndarje fizike, gjë që paraqet mundësi për kontaminim.  Ruajtja e majonezit, jo adekuate, ku sipas prodhuesit duhej ruajtur në temperaturë 5-10 °C, ndërsa mbahej ne temperatur ambienti. Për verifikim dhe vlerësim më të mirë të gjendjes janë marr 6 mostra nga ushqime të ndryshme, si dhe 15 strisho nga ambientet e kuzhinës dhe mjeteve të punës”, thuhet ndër tjerash në raport.

Tutje, sipas raportit të AUV-it për këtë rast, bazuar në të dhënat faktike në vendngjarje, subjekti ishte mbyllur përkohësisht.

“Bazuar në të dhënat faktike në vendngjarje subjekti është mbyllur përkohësisht, deri në identifikimin e plotë dhe të saktë të faktorit ose faktorëve që kanë mundur të ndikojnë në helmim.

Subjekti është urdhëruar të bëj përmirësime në kushtet higjienike, kushte të ruajtjes, sistemim dhe organizim të produkteve bazuar në natyrën dhe destinimin e tyre, eliminimin e plotë të të gjitha mundësive që mund të konvertohen në kontaminim të kryqëzuar, dhe në fund të kryhej DDD”, thuhet në raport.

Por, pas afatit të dhënë është ri-inspektuar lokali, ku është konstatuar përmirësimi i kushteve sipas urdhëresave dhe me vendim të inspektorit është ri-hapur lokali.

“Pas afatit të dhënë si dhe daljes së analizave fiziko kimike dhe mikrobiologjike, është ri- inspektuar subjekti, nga ku është konstatuar përmirësim i kushteve sipas urdhëresave dhe me vendim të inspektorit është ri-hap subjekti”, njofton tutje AUV.

Lexo edhe:
Shqip.com shpall konkurs për gazetarë dhe praktikantë

Po ashtu, AUV ka bërë të ditur se sipas ligjit të ushqimit dhe akteve tjera nën ligjore është inicuar fletëparaqitja në gjykatë ndaj subjektit në fjalë.

Ndryshe, më 4 shtator, disa persona ishin helmuar nga ushqimi në fshatin Trudë të Podujevës, ku 12 prej tyre kishin marrë trajtim mjekësor në Besi dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, kishte deklaruar se një familje kishte porositur ushqim për 85 veta pasi që kishin rast vdekjeje dhe po e organizonin të pamen.

“Një familje kishte porositur ushqim në një restorant për 85 persona që ishin në një të pame. Ata pasi kanë ngrënë iu kishin shfaqur simptomat e helmimit”, kishte thënë ai./SHQIP.com