Lajme

Ramadani jep detaje për rastin e helmimit: Një familje porositi ushqim për 85 persona

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, ka dhënë detaje lidhur me dyshimet për helmim nga ushqimi të disa personave nga fshati Trudë i Prishtinës, transmeton Shqip.com.

Ramadani tha se informatën e ka pranuar nga kryeinspektori i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, Ibrahim Tërshnjaku, teksa ka njoftuar se 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Besi.

“Sot në mesditë kemi marrë informacion nga kryeinspektori i AUV-it Ibrahim Tërshnjaku, se në fshatin Trudë të Prishtinës janë helmuar disa qytetarë. 12 persona kanë kërkuar ndihmë në Besi dhe në gjashtë në një nga QMF-të në Prishtinë. Ata kanë pasur shenja të detoksimit nga ushqimi, si ethe, barkqitje, temperature, vjellje”, ka thënë Ramadani.

“Ne ju kemi bërë edhe teste anti-COVID. Të gjithë nga ata kanë rezultuar negativ”, tha ai për Shqip.com.

Më tej, i pari i IKSHPK-së tha se kanë marrë mostrat e ushqimit në laborator dhe janë duke i ekzaminuar.

“Jemi duke e monitoruar situatën. I kemi marrë edhe mostrat e ushqimit në laborator dhe jemi duke i ekzaminuar. Rezultatet dihen më së voni pas 72 orësh”, tha më tej ai për redaksinë.

Ramadani ka njoftuar se një familje kishte porositur ushqim për 85 veta pasi kishin rast vdekje dhe po e organizonin të pamen.

“Një familje kishte porositur ushqim në një restorant për 85 persona që ishin në një të pame. Ata pasi kanë ngrënë iu kishin shfaqur simptomat e helmimit”. /Shqip.com