Lajme Ballkan

Petkoviq për takimin e grupit punues të Kosovës dhe Serbisë për targat: Është takim vetëm i ekspertëve

Drejtori i së ashtuquajturës, "Zyre për Kosovën", Petar Petkoviq

Drejtori i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, tha se takimi me Kosovën në Bruksel për çështjen e targave të automjeteve do të jetë vetëm ndërmjet ekspertëve, transmeton Shqip.com.

Petkoviq tha se në këtë takim nuk do të jenë negociatorët kryesorë në nivel teknik, teksa shton se dy palët do të kenë nga katër anëtarë në grupin punues për çështjen e lirisë së lëvizjes, targave dhe të tjera, raporton Tanjug.

Marrëveshja e Brukselit për targat

“Ne po fillojmë me takimin e parë në të cilin do të diskutohet gjithçka që është e nevojshme për funksionimin e Grupit Punues, i cili është i nevojshëm për të arritur një propozim për një zgjidhje që më vonë duhet të miratohet në një nivel të lartë”, tha Petkoviq.

Ndërkaq, të mërkurën është bërë e ditur se më 21 tetor do të takohen grupet teknike të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të diskutuar lidhur me targat e automjeteve.

Siç kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, në këtë takim pritet të shqyrtohen opsionet për një zgjidhje të përhershme, bazuar në tri parime kryesore.

Lexo edhe:
Të enjten mbahet takimi i grupeve teknike të Kosovës dhe Serbisë për targat

“Parimet kryesore janë: e para – zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, e dyta – të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dy palët, dhe e treta – nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës për media i qeverisë.

Në këtë mbledhje të parë nuk pritet të merret ndonjë vendim.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është arritur më 30 shtator në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut./SHQIP.com