Lajme

Të enjten mbahet takimi i grupeve teknike të Kosovës dhe Serbisë për targat

Mbulimi i simboleve shteterore ne targa

Të enjten e 21 tetorit do të takohen grupet teknike të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të diskutuar lidhur me targat e automjeteve.

Siç kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, në këtë takim pritet të shqyrtohen opsionet për një zgjidhje të përhershme, bazuar në tri parime kryesore.

Lexo edhe:
Petkoviq pas marrëveshjes për targa: Sot fillon epoka e përmbushjes së marrëveshjeve të Brukselit

“Parimet kryesore janë: e para – zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, e dyta – të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dy palët, dhe e treta – nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës për media i qeverisë.

Në këtë mbledhje të parë nuk pritet të merret ndonjë vendim.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është arritur më 30 shtator në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut./SHQIP.com