Lajme Ballkan

Petkoviq: Kuvendi i Kosovës po konfronton mes vete serbët në Kosovë, do të ketë pasoja të mëdha

Drejtori i së ashtuquajturës, "Zyre për Kosovën", Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, tha se përmes rezolutës kundër referendumit serb në Kosovë, Kuvendi i Kosovës po i konfronton serbët që jetojnë këtu, transmeton Shqip.com.

Madje, Petkoviq pas miratimit të kësaj rezolute, deklaroi se ky veprim “nuk do të kalojë pa pasoja”, raporton Tanjug.

“Parlamenti në Prishtinë duke vendosur të pengojë një referendum për ndryshimin e Kushtetutës të Serbisë për komunitetin serb në Kosovë hyri në një fazë të konfrontimit të hapur me popullin serb në Kosovë dhe u përpoq ta anulojë plotësisht të drejtat më elementare politike dhe civile të serbëve, kjo do të ketë pasoja të paparashikueshme”, tha ai.

Lexo edhe:
Selmanaj për abstenimin e tij: Seanca ishte për shkak të pazotësisë dhe nevojave personale të Kurtit

Sipas tij, miratimi i kësaj rezolute nga deputetët është vazhdimësi e fushatës kundër serbëve në Kosovë.

Ndërkaq, ai u shpreh i bindur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të mund t’ua ndalojë serbëve në Kosovë që të votojnë për zgjedhjet e 3 prillit.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me 76 vota pro dhe një abstenim ka miratuar rezolutën që kundërshton mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Lexo edhe:
Sveçla: Nuk do të lejojmë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë

Pas miratimit të saj, Kurti, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e rezolutës së përbashkët të rezolutës që kundërshton mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Kurse, ministri i Punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk do të lejojnë që të mbahet referendumi serb në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla bëri të ditur se nuk janë kundër askujt dhe nuk i mohojnë askujt të drejtën për të zgjedhur, por që nuk lejojnë të shkelet rendi kushtetues për “qëllime politike të Serbisë”./SHQIP.com