Lajme

Përfundoi protesta e PSD-së kundër Speciales

Përfundoi protesta e mbajtur sot në Prishtinë kundër dënimit të Sali Mustafës nga Gjykata Speciale, e organizuar nga Partia Socialdemokrate.

Me pankarta “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Gjykatë Speciale-Padrejtësi Speciale”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar”, qindra qytetarë e kundërshtuan dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sali Mustafa nga Gjykata Speciale.

Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, e cila vazhdoi te sheshi “Skënderbeu”, në kryeqytet. Në protestë i pranishëm ishte edhe ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Po ashtu, edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu mori pjesë në protestën kundër Gjykatës Speciale.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ditë më parë në një konferencë për media ka thënë se kjo protestë është e domosdoshme, pasi në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia. Partia Socialdemokrate (PSD) i ka dërguar gjithashtu shkresa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të nisin procedurat për amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Lexo edhe:
Proteston PSD kundër Speciales

Javën e kaluar, trupi gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shqiptuar aktgjykim fajësues ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa duke e dënuar atë me 26 vjet burgim.

Lexo edhe:
Sot nga ora 14:00, PSD proteston kundër Gjykatës Speciale

/Shqip.com