Lajme

Proteston PSD kundër Speciales

Nga hapësira përpara “Hotel Grand-it”, protestuesit e grumbulluar me ftesë të PSD-së së Dardan Molliqajt kanë vazhduar deri tek sheshi “Ibrahim Rugova” në hapësirën përballë Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Protestuesve iu kanë prirë Dardan Molliqaj dhe Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së.

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se krerët e UÇK-së që janë arrestuar po mbahen peng në Hagë.

“Më lejoni t’i përshëndes krerët e UÇK-së që janë marrë peng në Hagë. Procesi i Speciales na ka nxjerr edhe një mësim shumë të rëndësishëm. Liria mund të fitohet por duhet të mbrohet”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se: “Ne s’jemi këtu për t’i dekoruar ata që e kanë kundërshtuar këtë Gjykatë as për t’i fajësuar ata që e kane votuar. Ata që e kanë votuar këtë gjykatë nën presionin për akuzën e trafikut të organeve sot duhet ta kundërshtojnë më shumë se ata që e kanë kundërshtuar në fillim”.

Po ashtu, edhe Faton Klinaku përsëriti se Gjykata Speciale po gjykon vetëm shqiptarët dhe krimet e pushtuesve serbë. Ai tha se madje Specialja e ka quajtur edhe organizatë të përbashkët kriminale Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjykata Speciale po gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet që i ka shkaktuar pushtuesi serb. Ajo po gjykon luftën tonë çlirimtare. Po e gjykon UÇK-në, duke e quajtur edhe si organizatë e përbashkët kriminale.  Ata gjenden në Hagë sepse po gjykohet lufta jonë. Organizatat e veteranëve kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.

Në protestë po marrin pjesë edhe dy deputete të Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu-Shoshi.

Lexo edhe:
Sot nga ora 14:00, PSD proteston kundër Gjykatës Speciale

Partia Socialdemokrate po proteston kundër Gjykatës Speciale, pas vendimit të marrë për Sali Mustafën.

Kujtojmë që Salih Mustafa u dënua me 26 vjet për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

/Shqip.com