Lajme

Përfaqësuesit e studentëve kërkojnë nga Nagavci shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme në UP

Katër organizata studentore të cilat janë të përfaqësuara në Universitetin e Prishtinës përmes një aksioni para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë kërkuar nga ministrja Nagavci shpalljen e zgjedhjve të përgjithshme në UP.

Festim Dasholli nga Organizata Unioni Demokratik Studentor, është shprehur se është i domosdoshëm intervenimi i ministres për të mos lejuar politizimin e Universitetit nga grupe të interesit.

“Ne i jemi drejtuar me kërkesë ministres së Arsimit Arbërie Nagavcit për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës. Si shkas për këtë kërkesë janë zhvillimet e fundit që nga ndodhur në UP. Fillimisht neve na është mohuar e drejta e votimit në Senat, ku është shkelur edhe nenin 44 i Statutit të UP-së ku kanë hyrë për të votuar senatorët rijnë e që realisht mandati i tyre fillon me 1 tetor. Kjo përbërje e Këshillit Drejtues është së pari e jashtëligjshme dhe nuk është e dëshirueshme dhe nuk e përfaqëson Universitetin”.

Organizatat Unioni Demokratik Studentor, Unioni i Studentëve Proeuropian, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore (UDS-USPE-OPS-PS), kanë qenë organizatat që kanë parashtruar kërkesë Nagavcit.

Momentalisht në krye të rektoratit të UP-së po qëndron Luljeta Plakolli-Kosumi, pas shkarkimit të Naser Sahitit.

Sahiti ka theksuar se shkarkimi i tij është bërë për shkak se nuk është pjesë e dy partive në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Guxo-s.

Lexo edhe:
Sahiti: Shkarkimi im është bërë me ndikim politik nga Qeveria

Mirëpo lidhur me këtë deklaratë ka ardhur edhe reagimi nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ajo ka thënë se as ministria e as Qeveria nuk ndërhyjmë në autonominë e UP-së.

“Nuk kom pas rast me pa çfarë ka deklaruar ish-rektori. Shpresoj që nuk ka thënë ndonjë gjë sepse nuk ka çfarë të thotë. Kemi pasur bashkëpunim dhe jemi munduar të adresojmë çështje të rëndësishme për UP. Unë dhe as Qeveria nuk ndërhyjmë në autonominë e UP”.

Lexo edhe:
Nagavci: As unë e as Kurti nuk ndërhyjmë në autonominë e UP-së

Këshilli Drejtues ka vendosur që të hap konkursin për pozitën e rektorit. Për këtë pozitë nuk pritet të konkurrojë Luljeta Pllakolli-Kasumi.

/Shqip.com