Lajme

Nagavci: As unë e as Kurti nuk ndërhyjmë në autonominë e UP-së

Gjatë ditës së djeshme, Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka folur pas shkarkimit të tij nga pozita e të parit të UP-së nga ana e Këshillit Drejtues.

“Mendoj që një prej arsyeve që është marrë vendimi, është që çdokush e ka ditur se nuk jam njeri i partisë në pushtet as i koalicionit, kanë ardhur në përfundim që për shkak të agjendave të ndryshme, ky person duhet të eliminohet, sigurisht shumë kanë kontribuuar grupet e interesit brenda UP-së, duke dërguar informata të pabazuara. Ka pasur vesh të hapur nga MASHTI për të besuar ato informata”, ka thënë ai.

Mirëpo lidhur me këtë deklaratë ka ardhur edhe reagimi nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Lexo edhe:
Sahiti: Shkarkimi im është bërë me ndikim politik nga Qeveria

Ajo ka thënë se as ministria e as Qeveria nuk ndërhyjmë në autonominë e UP-së.

“Nuk kom pas rast me pa çfarë ka deklaruar ish-rektori. Shpresoj që nuk ka thënë ndonjë gjë sepse nuk ka çfarë të thotë. Kemi pasur bashkëpunim dhe jemi munduar të adresojmë çështje të rëndësishme për UP. Unë dhe as Qeveria nuk ndërhyjmë në autonominë e UP”.

Më tutje Nagavci ka thënë se është dëshmuar se në emërimin e ish-sekretarit kishte shkelje ligjore, prandaj edhe thotë se është i rëndësishëm vendimi i Këshillit.

“Është shumë e rëndësishme që Këshilli Drejtues të adresoj problemet që kanë ekzistuar në arsim. Së fundmi u konfirmuar që emërimi i ish-sekretarit paraqet shkelje ligjore. Vendimi është marrë me 8 vota për dhe 5 anëtarë që janë votuar kanë dhënë rezultat”.

Ushtruese e detyrës në krye të institucionit është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi.

Po ashtu gjatë ditës së hënë Këshilli Drejtues ka vendosur që të hap konkursin për pozitën e rektorit. Për këtë pozitë nuk pritet të konkurrojë Luljeta Pllakolli-Kasumi.

/Shqip.com