Lajme

Sahiti: Shkarkimi im është bërë me ndikim politik nga Qeveria

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka folur pas shkarkimit të tij nga pozita e të parit të UP-së nga ana e Këshillit Drejtues.

Shkarkimin e tij, Sahiti e ka cilësuar si proces jonormal, derisa ka shtuar se nuk janë respektuar procedurat dhe nuk janë dhënë argumente të qëndrueshme.

“Nuk kam përgjigje konkrete pse, sepse forma që ka ndodhur më ngjason në gjithçka tjetër, përveç në një proces normal të shkarkimit. Nuk dua ta kontestoj mundësinë që rektori mund të shkarkohet, shyqyr që ekziston ajo mundësi. Duhet të respektohen disa procedura dhe të jepen argumente të qëndrueshme në mënyrë që kur të merret ai veprim, të shihet si akti i fundit”, ka thënë ai në RTV Dukagjini,

Më tutje, Sahiti ka theksuar se shkarkimi i tij është bërë për shkak se nuk është pjesë e dy partive në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Guxo-s.

“Mendoj që një prej arsyeve që është marrë vendimi, është që çdokush e ka ditur se nuk jam njeri i partisë në pushtet as i koalicionit, kanë ardhur në përfundim që për shkak të agjendave të ndryshme, ky person duhet të eliminohet, sigurisht shumë kanë kontribuuar grupet e interesit brenda UP-së, duke dërguar informata të pabazuara. Ka pasur vesh të hapur nga MASHTI për të besuar ato informata”, ka thënë ai.

Lexo edhe:
Konkursi për rektor të UP-së hapet të hënën, Pllakolli nuk konkurron

Ushtruese e detyrës në krye të institucionit është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi.

Po ashtu gjatë ditës së hënë Këshilli Drejtues ka vendosur që të hap konkursin për pozitën e rektorit. Për këtë pozitë nuk pritet të konkurrojë Luljeta Pllakolli-Kasumi.

/Shqip.com