Lajme Botë

Përfaqësuesi Special gjerman: Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat

Manuel Sarrazin

Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjatë vizitës së tij në Sarajevë ka thënë që Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat, e me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE.

Sarrazin u shpreh se njerëzit e Ballkanit Perëndimor kanë kaluar nëpër eksperienca të ngjashme të luftës Rusi-Ukrainë dhe se që Bashkimi Evropian të sigurojë një paqe të qëndrueshme të dyja këto hapa do të ishin një sinjal i rëndësishëm për gjithë rajonin.

“Mund ta ndjeni në të gjithë rajonin se imazhet e tmerrshme nga Ukraina ndikojnë shumë njerëz personalisht dhe po ndjellin frikë. Në Ballkanin Perëndimor, shumë njerëz kanë kaluar nëpër përvoja të ngjashme të luftës dhe largimit. Pikërisht për këtë është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të ketë një prani të qartë dhe të vendosur në rajon. Kjo do të thotë gjithashtu se tani duhet të ketë progres në anëtarësimin në BE. Negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë tani. Duhet të zbatohet edhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Të dyja do të ishin një sinjal i rëndësishëm për të gjithë rajonin”, është shprehur Sarrazin për DerStandard.

Sarrazin ka bërë thirrje po ashtu për sanksione ndaj Kryeministrit të Bosnje Hercegovinës, pro-rusit Milorad Dodik.

I pyetur se cili është reagimi dhe hapat konkretë të qeverisë gjermane ndaj kërcënimit të kreut të SNSD-së, Milorad Dodik, për shkatërrim të strukturave shtetërore dhe shpaljen e republikës Srpska të pavarur, ai ka thënë se “retorika përçarëse dhe sulmet ndaj unitetit të shtetit vënë në rrezik të ardhmen e vendit dhe stabilitetin e rajonit. Kjo nuk duhet të kalojë pa ndëshkim”.

“Prandaj, Gjermania është e vendosur për masat individuale të BE-së ndaj atyre që rrezikojnë integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës. Përveç kësaj, duhet të jetë e qartë se Republika Srpska mund të përfitojë financiarisht dhe ekonomikisht nga BE vetëm nëse është pjesë e Bosnje dhe Hercegovinës dhe është e përkushtuar ndaj institucioneve të saj”, është shprehur Sarrazin./Shqip.com