Lajme Ballkan

Për herë të parë Holanda kërkon falje për mosofrim të ndihmës në Srebrenicë

Srebrenica

Për herë të parë, Qeveria holandeze ka kërkuar falje që dështoi t’u ofronte ndihmën e duhur boshnjakëve në Srebrenicë, që u vranë nga forcat serbe.

Ministrja e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren, në përvjetorin e 27-të të masakrës, deklaroi se si pjesë e përgjegjësisë politike, Holanda “kërkon ndjesë të thellë” për ata që ndodhi më 11 korrik të 1995-s në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinë.

“Komuniteti ndërkombëtar dështoi të mbronte popullin e Srebrenicës,” tha Ministrja e Mbrojtjes Kajsa Ollongren në një ceremoni për të shënuar 27 vjetorin e masakrës.

“Si pjesë e këtij komuniteti, qeveria holandeze ndan përgjegjësinë politike për situatën në të cilën mund të ndodhë ky dështim. Për këtë kërkojmë ndjesë më të thellë”, tha ajo në manifestimin e mbajtur në fshatin Potoçari, ku janë varrosur shumë nga viktimat”, raporton “Politico.eu”.

Komentet e Ollongren erdhën një muaj pasi kryeministri holandez Mark Rutte u kërkoi falje në emër të qeverisë veteranëve të njësisë ushtarake holandeze që kishte për detyrë të mbronte qytetin ndërsa ishte në një mision paqeruajtës të OKB-së.

Rutte pranoi se mungesa e mbështetjes së qeverisë e la njësinë Dutchbat III të paaftë për të përmbushur misionin e saj të mbrojtjes.

Komentet e tij shkaktuan keqkuptim tek të afërmit e viktimave të Sebrenicës, të cilët thanë se holandezët duhet t’u kishin kërkuar falje së pari.

Ndryshe, kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Lexo edhe:
Ekskluzive: Mirela Osmanović rrëfen si ja vranë serbët dy vëllezërit në gjenocidin në Srebrenicë

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Lexo edhe:
27 vjet nga masakra e Srebrenicës

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari./SHQIP.com