Lajme Ballkan

Ekskluzive: Mirela Osmanović rrëfen si ja vranë serbët dy vëllezërit në gjenocidin në Srebrenicë

Potoçari, 11 korrik 2022,

Gjenocidin e 11 korrikut të vitit 1995, Mirela Osmanović nga Srebrenica – nuk e kishte parë me sytë e saj, por sa herë e kujton, ajo rrëqethet dhe i duket sikur të kishte parë tmerrin me sy.

Familja e saj përbëhej nga pesë anëtarë, prindërit, një motër dhe dy vëllezër, dy të fundit nuk arriti kurrë t’i njihte.

Velid u vra nga forcat serbe para së të mbushte 17 vjeç ndërsa Ahmedin ishte vetëm 15 vjeçar.

Fëmijëria e tyre u ndërpre brutalisht nga forcat serbe në masakrën ku u vranë burra e djem myslimanë.

Në 27 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, Mirela (25 vjeçare) në një rrëfim për SHQIP.com thotë se vëllezërit e saj kishin kërkuar shpëtim në zonën e mbrojtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Para luftës dhe para se të lindja unë, familja ime kishte 5 anëtarë. Prindërit e mi, motra më e madhe dhe dy vëllezër më të mëdhenj. Në korrik 1995, dy vëllezërit e mi të mitur, së bashku me nënën dhe motrën time, kërkuan shpëtim në zonën e mbrojtur të OKB-së, ku më pas, vëllezërit e mi i ndanë nga nëna e i dërguan në mjediset e ekzekutimit dhe u vranë brutalisht” – tha ajo.

Mirela Osmanovic

Vëllezërit e Mirelës ishin vrarë brutalisht në Potoçari.

Më vonë, familjarët ua kishin gjetur eshtrat dy të miturve.

“Ne i gjetëm eshtrat e tyre dhe i varrosëm në varrezat e Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë”, shtoi ajo.

Sot, eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, të identifikuara së voni, u varrosën në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.

Lexo edhe:
Varrosen pesëdhjetë viktima të Srebrenicës, 27 vjet pas gjenocidit

Mirela thotë se sot ka shkuar herët në mëngjes në varreza, para se të mbushej plotë me njerëz.

“Ndjeva dhimbje të fortë në gjoks dhe rëndim, kisha nevojë të shkoja në varreza” – u shpreh ajo.

Ajo thotë se çdo ditë e më shumë po ndërgjegjësoshet për peshën e dhimbjes që mbajnë mbi supe familjarët e të vrarëve.

“Mendoj se sa më shumë që rritem, aq më shumë ndërgjegjësohem për peshën e asaj që mbajnë mbi shpinë nënat, baballarët, motrat tona”.

Potoçari, 11 korrik 2022,

Në anën tjetër, Serbia shteti që ka kryer gjenocidin në Bosnjë dhe Hercegovinë vazhdon ta mohon se ka kryer gjenocid atje.

E për këtë, Mirela thotë se boshnjakët janë dëshmitarë të mohimit, e për këtë arsye, sipas saj duhet të jenë më të zëshëm ndaj përhapjes së realitetit që ka ndodhur në Srebrenicë,

“Ne jemi dëshmitarë të mohimit të gjenocidit çdo ditë dhe kjo është një nga arsyet pse ne duhet të jemi më të zëshmit në përhapjen e së vërtetës dhe kultivimin e kulturës së kujtimit”, tha ajo për SHQIP.com.

Si ndodhi gjenocidi në Srebrenicë?

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari./Shqip.com