Lajme

PDK kërkon të mblidhet urgjent Këshilli i Sigurisë

PDK
PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar për zhvillimet e sotme në veriun e Kosovës.

Partia më e madhe opozitare ka shprehur shqetësimin e thellë për tensionet e rënda të krijuara në pjesën veriore të vendit dhe ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

“Në momente si këto, ku roli i gazetarëve për informimin e publikut është tejet i rëndësishëm, është tërësisht e papranueshme që puna e tyre të pengohet dhe që ata të shndërrohen në caqe të sulmeve. Kërkojmë nga institucionet kompetente të Qeverisë që të garantojnë masa sigurie për gazetarët dhe punonjësit e mediave, të cilët janë në detyrë dhe po raportojnë gjatë gjithë ditës nga pjesa veriore e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar të gjithë hisedarët, në të gjitha kapacitetet që kanë, që të ndikojnë në qetësimin e situatës, rikthimin e normalitetit dhe evitimin e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të gjendjes.

“Duke e kuptuar drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit, ftojmë Presidenten dhe Kryeministrin që të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Rikthimi i normalitetit është parakusht i fillimit të një qeverisjeje komunale të mirëfilltë, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit. Në këtë mision, PDK vlerëson se duhet të jenë të angazhuar të gjithë, pa përjashtim, hisedarë relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet tutje.

PDK ka inkurajuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mos bëhen pjesë e asnjë manipulimi apo sjelljeje të dhunshme, e cila cenon rendin, ligjin dhe demokracinë në vendin tonë.

/Shqip.com