Pas publikimeve të Shqip.com, rekomandohet shkarkimi i anëtarit të KGJK-së, Driton Muharremit

Pas publikimit të audio-incizimeve nga Shqip.com të cilat implikojnë edhe gjyqtarin e krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit të Kosovës dhe njëherësh anëtarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Driton Muharremin, Komisioni Parlamentar për Legjislacion ka rekomanduar shkarkimin e tij.
Anëtari i këtij Komisioni, Adnan Rrustemi, tha në një konferencë për media se Muharemi ka shkelur rëndë detyrën zyrtare dhe ka cenuar sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Sipas tij, Muharremi është dashur të japë dorëheqje vetë, por meqë një gjë e tillë s’ka ndodhur, të premten kanë iniciuar procedurën e shkarkimit të tij.
“Konsiderojmë se z.Muharremi ka cenuar rëndë sistemin e drejtësisë. Një person me imazh të tillë s’mund të qëndrojë si anëtar i KGJK-së. Në mbrojtje të pavarësisë dhe paanësisë, duke u dërguar mesazh qytetarëve se sistemi i drejtësisë s’mund të cenohet nga veprime dhe persona të tillë, kemi marrë vendim për shkarkimin e tij”, tha Rrustemi.
Në disa biseda telefonike të siguruara nga Shqip.com, Muharremi del të jetë i lidhur me Drejtorin e Inteligjencës Financiare të Kosovës Dardan Nuhiu dhe përmes tij me një person që kërkon t’i lirohet një veturë pasi që i ishte konfiskuar, e që sipas tij, lirimin po e bllokonte krye-prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Klikoni në rubrikën N’shënjestër, për të shikuar të gjitha publikimet në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes” në mënyrë kronologjike./Shqip.com