Paraburgim për ish-punëtorin e Postës që nuk dorëzoi mbi 2 mijë dërgesa postare
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në çështjen penale kundër të pandehurit M.B., ish-punëtor i Postës së Kosovës, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.B e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar dhe konsideron se plotësohen të gjitha kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe kërkesa është e bazuar.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe sekuestruar dërgesa postare të pa dorëzuara nga ai i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre te palët e adresuara./SHQIP.com